Komandanti i Policisë flet për protestën në Gjakovë

Pelegrinët serbë nuk na kanë paralajmëruar që sot do të vijnë

Drejtori Rajonal i Policisë në Gjakovë, koloneli Ahmet Hasi tha se pelegrinët serbë nuk na kanë paralajmëruar që sot do të vijnë në Gjakovë. Mirëpo, sipas tij, ata as nuk kanë lajmëruar që s’do të vijnë.

“Pelegrinët serb nuk na kanë paralajmëruar që sot do të vijnë, mirëpo as nuk kanë lajmëruar që s`do të vijnë. Ne gjithsesi kemi ndërmarr masat gjatë protestës”, tha Hasi për Kallxo.com.

Ndërkohë, qytetarë të shumtë të Gjakovës janë duke protestuar sot në qytetin e tyre, siç kanë thënë ata “kundër ardhjes kriminelëve, të cilët nën petkun e pelegrinëve sot vijnë në Gjakovë”.

Protestuesit kanë vendosur mbishkrime në dyert e objektit të kishës serbe me moton e protestës së tyre “Gjakova nuk harron!”.

Protestuesi Kasim Qerkezi tha se ka humbur 5 familjarë, e ndër ta edhe djalin e tij 18 vjeç.

“Nuk jemi kundër festës, çdo vit do të protestojmë për familjarët tanë ende të pagjetur”, tha ai, duke shtuar se 4 prej familjareve që i janë vrarë ende nuk janë gjetur.

Sebahate Doli tha se do protestojnë “sepse na kanë bërë shkrumb e hi”.

Qytetarët e Gjakovës, të cilët ende po i kërkojnë familjarët e tyre të pagjetur janë duke protestuar sot në kohën kur pritet që qytetarë serbë të kryejnë pelegrinazh në këtë qytet.

Back to top button