Anglezëve u bëri përshtypje pritja e ngrohtë e kosovarëve

Anglezëve u bëri përshtypje pritja e ngrohtë e kosovarëve

Mbrëmë është zhvilluar ndeshja mes Kombëtares së Kosovës dhe asaj së Anglisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet. Fansa të shumtë të dy kombëtareve ishin mbledhur në “Fadil Vokrri”, për ta ndjekur duelin.

Ndonëse Kosova përfundoi me humbje, e rëndësishme ishte pritja e ngrohtë që iu bë miqve të Kosovës. Edhe ata përveç fitores, u kthyen me zemrën plotë nga kjo ndeshje.

Kombëtarja e Anglisë sot përmes një postimi në Twitter falënderoi Kosovën për pritjen, transmeton rtv21.tv

“Çfarë pritje! Faleminderit Kosovë”, ishte postimi i Kombëtares.

Trajneri i Kombëtares angleze, Gareth Southgate pas përfundimit të ndeshjes ka deklaruar se ata kanë udhëtuar nëpër vende të ndryshme, por askund nuk kanë kaluar si në Kosovë.

Edhe pse Kombëtarja e Kosovës nuk ka arritur që të realizojë asnjë gol, tifozët e Kombëtares ishin ata që gjatë tërë ndeshjes iu dhuruan përkrahje djelmoshave në stadiumin “Fadil Vokrri”. Anglia golin e parë e ka shënuar në minutën e 32-të, kurse tri golat e tjera i ka shënuar në pjesën e dytë të ndeshjes.

Kosova pasi ka humbur kundër Çekisë ka humbur shanset që të kualifikohet nga faza e grupeve në Kampionatin Evropian 2020./21Media