"Është viti më i suksesshëm i futbollit në përgjithësi"

“Është viti më i suksesshëm i futbollit në përgjithësi”

Kombëtarja e Kosovës në futboll, në vitin 2019 bëri paraqitje shumë të mira, kështu duke i lënë gjithë tifozët me shpresë për një kualifikim të mundshëm në kampionatin evropian.

Edhe pse një gjë e tillë nuk ndodhi nëpërmjet ndeshjeve kualifikuese, Kosova ka një shans tjetër nëpërmjet play-offit të Ligës së Kombeve, ku Kosova në gjysmëfinale do të ndeshet me Maqedoninë e Veriut, ndeshje kjo e cila do të luhet në stadiumin e qytetit të Shkupit.

Kombëtarja e Kosovës në futboll nisi kualifikimet për kampionatin evropian në muajin mars të vitit 2019, ku ndeshjen e parë e luajti ndaj Bulgarisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke mos arritur më shumë se një barazim.

Më pas Dardanët zhvilluan edhe shtatë ndeshje tjera kualifikuese duke pësuar humbje vetëm nga Anglia dhe Republika Çeke, humbje këto të cilat e renditën Kosovën në vendin e tretë në grupin përkatës dhe tanimë shpresat për një kualifikim në kampionat evropian janë në play-offin e Ligës së Kombeve, ku Kosova do të ndeshet vitin e ardhshëm me Maqedoninë.

Përpos këtyre ndeshjeve, Kosova zhvilloi edhe dy miqësore gjatë vitit 2019. Luajti baras ndaj Danimarkës në stadiumin “Fadil Vokrri”, si dhe e mposhti Gjibraltarin po në të njëjtin stadium në Prishtinë.

I pari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi u shpreh se Kosova e ka kaluar pritshmërinë sa i përket rezultateve të arritura. Krejt kjo pas një pune të mrekullueshme të djelmoshave të kombëtares.

“Është viti më i suksesshëm i futbollit në përgjithësi, jo vetëm ekipit nacional, por në të gjitha drejtimet e sidomos ekipit tonë A nacional, për faktin që i kemi kalu pritshmëritë dhe besoj që të gjithë nuk e kanë pritur këtë rezultat të ekipit tonë, por ja që doli sepse është një ekip kualitativë, është një ekip me zemër të cilët realisht punojnë me një dinjitet të jashtëzakonshëm, me një atdhedashuri të pashoq dhe me një disiplinë dhe kualitet jashtëzakonisht të mirë. Në këtë drejtim mund të them lirisht se ndihmë e tyre kanë qenë  të gjitha institucionet tona, populli dhe sidomos “Dardanët”, tha fillimisht Ademi.

Edhe analisti i mirënjohur kosovar, Arsim Thaqi deklaroi se ndeshjet e kombëtares së Kosovës kanë qenë pjesë më e mirë e vitit që po lëmë pas në futbollin e Kosovës.

“Atëherë normal që ka të mira, por ka edhe dobësi, si në të gjitha lamit, ashtu edhe tek sporti. Pjesa që normalisht që nuk duhet me qenë të kënaqur është çështja e organizmit të klubit, çështja e infrastrukturës, ngritja e cilësisë dhe nivelit. Këto shkojnë të gjitha të lidhura me njëra tjetrën, probleme që realisht ne nuk kemi bërë ndonjë hap të madh përpara. Pjesa që na ka bërë të ndihemi shumë krenar është loja e kombëtares të cilët kanë treguar, që përveç që dinë të luajnë futboll, për këtë vend janë të gatshëm me dhënë maksimumin, përtej mundësive të veta këta si lojtarë, për me gëzuar këtë Kosovë, këtë rini, këtë popullatë për shkak se kemi kaluar një kohë jashtëzakonisht të vështirë dhe është një moment shumë i mirë që ne pak a shumë t’i tregojmë vlerat tona”, tha Thaqi.

Të njëjtin mendim kishte edhe sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, i cila tha për KosovaPress, se Kosova në dy vitet e fundit ka arritur sukses të madh, ani pse kjo nuk është pritur duke parë edhe kundërshtarët të cilët Kosova i ka pasur, sidomos ata në grupin kualifikues për në kampionat evropian.

“Atë që po e thonë të gjithë futbolldashësit që janë, ëndrra vazhdon për arsye se kemi pasur dy vite fantastike edhe në UEFA Nations League, por edhe në kualifikime. Ju e dini që kur jemi dal kemi thënë a jemi në gjendje me mat veten me ekipe jo të regjionet, por si edhe një Çeki që ka qenë kampion evropian, kështu që kemi treguar sukses, ky nuk është vetëm mendimi im, por është mendimi i të gjithëve, ekspertëve edhe në UEFA, edhe në FIFA, edhe tifozëve, futbolldashëve tanë. Andaj duhet të vazhdojmë sepse i kemi dy ndeshje përcaktuese, e cila vetëm në qoftë se arrijmë sepse nuk kemi pasur fat në short, por nëse arrijmë të fitojmë do të jetë një sukses tjetër i Kosovës”, tha Salihu.

Ndërsa sa i përket shansit për një kualifikim të mundshëm në Kampionatin Evropian, i pari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi u shpreh se Kosova ka gjasa të mira të kualifikohet mirëpo do të presin dhe të shohin se çfarë pritet të ndodhë në ndeshjen e gjysmëfinales, të cilën Kosova e zhvillon ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Duke pasur parasysh cilësinë dhe kualitetin e ekipit tonë dhe vendosmërinë dhe krijimin e një mentaliteti fitues, unë mendoj që ne do të bëjmë një lojë jashtëzakonisht të mirë dhe besoj në rezultat dhe besoj në kualitetin e tyre, sigurisht edhe në punën e mirë të trajnerit dhe shtabit teknik që janë duke e bërë. Natyrisht e pres kalimin e kësaj pengesë e cila është Maqedonia dhe pastaj sigurisht edhe në ndeshjen tjetër do të shkojmë për fitore, nuk kemi çka tjetër”, tha Ademi.

Kujtojmë që Kosova në fillim të vitit të ardhshëm pritet të ketë disa ndeshje miqësore, ndërsa në muajin mars do ta luajë ndeshjen tejet të rëndësishme, atë ndaj Maqedonisë së Veriut, në kuadër të gjysmëfinales së play-offit të Ligës së Kombeve.

Në rast se Kosova do të arrinte kualifikimin në kampionatin evropian, do të ishte suksesi më i madh në histori të sportit kosovar./KosovaPress/