Aktorët shkëlqejnë në tepihun e kuq

Aktorët shkëlqejnë në tepihun e kuq

Komedia amerikane “Knives Out”, e cila për temë ka një ngjarje të mistershme, vrasjen e një patriarku, u shfaq premierë në Londër, gjatë festivalit të filmit që po mbahet në këtë vend.

Me këtë rast, aktorët e filmit, në mesin e tyre Daniel Craig, Chris Evans, Jamie Lee Curtis, Don Johnson e shumë aktorë të tjerë të mirënjohur, para shfaqjes së tij pozuan për fotografi dhe u nënshkruan autografe një numri të madh adhuruesish të cilët u mblodhën rreth tepihut të kuq për t’i përshëndetur ata, shkruan rtv21.tv

Ngjarja në filmin “Knives Out” përqendrohet rreth një vrasjeje të mistershme, rast ky i cili fillon të hetohet. Me një fjalë, ngjarja është e realizuar me shumë përpikëri dhe ajo na ofron momente të gërshetuara, të papritura që prej fillimit të tij e deri në fund.

Regjisori Rian Johnson për media ka thënë se filmi “Knives Out” është realizuar që të ndiqet nga një grup dashamirësh të filmit, pasi që ai ofron edhe momente relaksimi, pjesë të cilat na bëjnë të qeshim, por edhe skena të gërshetuara aq mirë të cilat na bëjnë të largohemi nga rutina për pak kohë.

Johnson për Craig ka thënë se ky aktor e befason çdo herë me paraqitjet e tija, dhe kjo u pa edhe me rolin në këtë film. Sipas tij, edhe aktorja Ana de Armas është e jashtëzakonshme, e prej tyre ka edhe të tjerë që janë të pazakontë, kështu që ia vlen të shikohet.

Premiera botërore e komedisë “Knives Out” u shfaq në festivalin e filmit në Toronto më 7 shtator 2019, ndërkaq në kinematë amerikane do të shfaqet nga data 27 nëntor 2019./21Media