Katica Janeva të shkarkohet nga detyra si shefe e Prokurorisë Speciale.

Katica Janeva të shkarkohet nga detyra si shefe e Prokurorisë Speciale.

Me dyer të mbyllura komisioni votoi njëzëri

Me dyer të mbyllura, njëzëri, 13 anëtarët e Komisionit kuvendor për Zgjedhje dhe Emërime e konfirmuan raportin e Këshillit të Prokurorëve për shkarkimin e kryeprokurores në Maqedoninë e Veriut.

Komisioni pa diskutim, me vendim unanim, e konfirmoi propozimin e ardhur deri në Kuvend që zonja Katica Janeva të shkarkohet nga funksioni i Prokurores Speciale për shkak të udhëheqjes së institucionit në mënyrë  të jashtëligjshme, të pandërgjegjshme dhe jo profesionale”, theksoi Ilia Dimovski, kryetar i Komisionit.

Seanca e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime u mbajt prapa dyerve të mbyllura, për shkak se Këshilli i Prokurorëve nuk e aprovoi kërkesën e Kuvendit për de klasifikim të të njëjtit, sepse përmban materiale me detaje rreth skandalit Reket. Në të morën pjesë vetëm deputetët që kishin certifikata sigurie që u lejon qasje në materiale të klasifikuara si të besueshme. Por deputeti Muhamed Zekiri pohon se në raport s’kishte ndonjë gjë që nuk dihet në opinion.

Mendoj se nuk duhet të shqetësoheni se në raport kishte kushedi se çka që opinioni nuk e di”, tha Muhamed Zekiri, deputet i LSDM-së.

Propozimi i Këshillit do t’i dërgohet krye parlamentarit Talat Xhaferi i cili duhet të thërrasë seancë plenare ku duhet të votojnë 80 deputetë që Janeva të shkarkohet.

Pajtim për shkarkim, sipas ligjit, duhet të ketë edhe mes 4 partive më të mëdha në vend. Por parti të katërt për momentin nuk ka, sepse janë tre parti me numër të njëjte deputetësh. Për këtë  gjatë ditës krye parlamentari Xhaferi do t’u dërgojë letër 3 partive për zgjidhje të kësaj dileme.

Ndërkaq Zëvendëskryeministri Bujar Osmani publikisht propozoi një zgjidhje.

Aso kohe ligji për Prokurorinë Speciale është votuar ndërmjet 4 partive  VMRO, LSDM, BDI dhe PDSH në bazë të konsistencës politike do të duhet të njëjtat parti politike të marrin vendim edhe për shkarkimin  e Janevës. Por do ua lëmë deputetëve të vendosin”, deklaroi Bujar Osmani, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Që nga 21 gushit Janeva është në paraburgim, me kërkesë të prokurorisë për ndjekje të krimit dhe korrupsionit, për shkak se ka baza të forta për përfshirje të saj në skandalin Reket. Atë e shkarkon Kuvendi, me propozim të Këshillit të Prokurorëve, siç parashihet  në nenin 18 të ligjit për Prokurorinë Speciale Publike./TV21