Komisioni pret vlerësimin e Auditorit të Përgjithshëm

Komisioni pret vlerësimin e Auditorit të Përgjithshëm

Raporti vjetor financiar të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2018 nuk është hedhur fare për votim në komisionit për Buxhet dhe Financa pasi që anëtarët e këtij komisioni vlerësuan që të pritet raporti i Zyrës Kombëtare të Auditorit.

Deputetët i kanë rekomanduar menaxhmentit të RTK-së që të bëjnë një planifikim më të mirë lidhur me shpenzimet në mënyrë që të paguhen edhe borxhet që i ka ky institucion.

Lidhur me auditimin e financave të Radiotelevizionit të Kosovës, kryeshefi i Zyrës Kombëtare të Auditimit, Besnik Osmani tha se drejtori aktual i Radiotelevizionit të Kosovës, Ngadhënjim Kastati e ka hedhur në mëdyshje autoritetin kushtetues dhe ligjor të Zyrës Kombëtare të Auditimit, për t’i audituar financat e këtij institucioni.

Sipas tij puna e auditimit për RTK-në është pezulluar dhe aktualisht janë duke pritur një vendim nga Kuvendi i Kosovës. “Që nga fillimi ne kemi marr nga drejtori i mëparshëm i këtij institucioni shqetësimin e tij se auditori i përgjithshëm nuk do ketë që të bëjë auditimin e RTK-së për faktin se kemi një ligj të veçantë për RTK-në dhe në atë ligj është e vërtet ka një nen që thotë se auditimet për RTK-në do të bëhen nga një kompani private, por natyrisht që flet vetëm për pasqyrat financiare realisht për lloj e auditimit financiar. Unë i kam sqaruar drejtorit dhe kemi filluar auditimin kemi mbërritur tek draft raportet dhe kur e kemi dërguar për komente që me ligjin për Auditim kemi afat 15 ditor për komente kam marr shkresë të re nga drejtori aktual i Radiotelevizionit i cili edhe njëherë ka vënë në mëdyshje autoriteti kushtetues dhe ligjor të institucionit tonë për të bërë auditimin”, tha Osmani.

Por një gjë të tillë e ka mohuar drejtori i Radiotelevizionit të Kosovës, Ngadhënjim Kastrati i cili tha se ai ka pranuar një letër nga auditori të cilën e ka shqyrtuar dhe se nuk kanë thënë se nuk mund të kryhet auditimi. “Javën e parë që kam filluar punën ka ardhur letra e auditorit edhe mandej e kemi shqyrtuar me sektorët të cilët janë audituar në RTK edhe jemi takuar me anëtarët e auditorit, me zëvendësauditoren, jemi takuar dhe kemi diskutuar për të gjitha çështjet ku kam marr pjesë por nuk ka pasur diçka që ne kemi thënë se nuk mundet me auditua, kjo nuk qëndron. Ne i kemi dërguar komentet tona që i kanë pasur sektorët atë javë vetëm e kam marr detyrën por përgjigjet për të gjitha çështjet që ata i kanë ngritur i kanë marr nga shefet e sektorëve, ashtu siç jam njoftuar unë ky ka qenë raporti i parë, në raportin e dytë financiar ata kanë pasur qasje mesa e di unë dhe i kanë marr ët gjitha të dhënat që u kanë interesuar”, tha ai.

Se Zyra Kombëtare e Auditorit punën për auditimin e RTK-së e ka nisur vitin e kaluar ka thënë edhe shefja e financave të Radiotelevizionit të Kosovës, Adelina Valla.

Në raportim ishte dhe Afërdita Maliqi, kryetare e bordit të RTK-së tha se Radiotelevizioni i Kosovës për periudhën e vitit 2018 ka shpenzuar gjithsej 13 milionë e 400 mijë euro.

Sipas saj sfidë për RTK-në mbeten borxhet e trashëguara ndër vite dhe çështja e objektit, pavarësisht që ministria e Administratës Publike ka ndarë një parcelë për ndërtim të objektit. “Të hyrat kryesore të RTK-së për periudhën raportuese kanë qenë nga buxheti i Kosovës e që përbëjnë 85 për ind të të hyrave të përgjithshme të RTK-së, të hyrat nga marketingu kanë gjeneruar 12 përqind të të hyrave dhe të gjitha të hyrat tjera kanë qenë 3 përqind të të hyrave tjera të përgjithshme. Radiotelevizioni i Kosovës për periudhën raportuese ka paraparë të hyra në shumë prej 13 milionë e 400 mijë për këtë periudhë raportuese dhe ka realizuar të hyra në një shumë prej 13 milionë e 400 mijë e 56 euro. RTK për periudhën raportuese ka paraparë shpenzime në shumë prej 13 milionë e 400 mijë euro ndërsa ka shpenzuar 13 milionë e 342 e 930 mijë euro më pak”, tha ajo.

Lidhur me këto shpenzime dilema pati deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili tha se është e pamundur të dihet saktë se sa do të shpenzonin brenda vitit 2018.

Është bukur e vështirë me thënë që i kemi harxhuar qind për qind mëditjet ose planifikimin se keni bërë mirë, ose nuk ka planifikim hiq, pra e keni shënuar shpenzimin dhe në fund keni thënë kaq janë paraparë për mëditje sepse është e pamundur me ditë se sa kanë me qenë mëditjet brenda një viti mund të qenë 90 për qind 92 por 100 për qind është e pamundur, qind për qind është e pamundur me ditë se sa keni me harxhua naftë, e nëse janë më të mëdha nuk duhet me i tejkaluar. Pra keni thyer ligj, është antiligjore atëherë me harxhuar para më tepër sesa që kemi thënë leje, nuk guxoni me harxhua asnjë para më tepër sesa që lejojmë. Njëra nga këto është ose nuk keni bërë planifikim ose e keni shkel ligjin” , u shpreh deputeti i LDK-së.

Abdixhkiu ka pyetur edhe për numrin e punëtorëve në këtë ndërmarrje publike si çështjet e kontraktimit të emisioneve të jashtme.

Përgjigje këtu pati drejtori i RTK-së, Ngadhënjim Kastrati, i cili tha se qysh me ardhjen e tij në këtë post është marr vendim që të gjitha bashkëpunëtorëve nga jashtë t’u ndërpritet kontrata.

Menaxhmetit i Radiotelevizionit të Kosovës gjatë raportimit të tyre para Komisionit për Buxhet dhe Financa kanë theksuar se në këtë ndërmarrje janë të punësuar 861 punëtorë , ku vetëm në vitin 2018 janë punësuar 29 punëtorë dhe 20 bashkëpunëtorë.

Po ashtu aty u tha se borxhi total i RTK-së është 3 milionë e 892 mijë euro, ku mbi 2 milionë e 700 mijë janë bartur nga vitet e kaluara, kurse mbi 400 mijë u janë inkasuar nga përmbaruesit.

Deputetët e komisionit për Buxhet dhe Financa i kanë rekomanduar menaxhmentit të RTK-së që me qëllim të kursimit dhe shlyerjes së borxheve të bëjnë një planifikim afatgjatë