KQZ publikon rezultatet

KQZ publikon rezultatet

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka shpallur rezultatet përfundimtare për asamble komunale të zgjedhjeve të 22 tetorit, pas rinumërimit të rreth 700 kutive të votimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ndërsa afat i ankesave rrjedh nga nesër në ora 12.00. KQZ ka marrë vendim që në tri vendvotime në komunën e Parteshit të përsëriten zgjedhjet më 19 nëntor.

Koordinatori QNR-së, Burim Ahmetaj, ka thënë se kanë procesuar të gjitha materialin zgjedhor dhe rinumërimin e 695 vendvotimeve, dhe se numërimi ka përfunduar mbrëmë dhe se koha e fundit për procedim të të gjitha rezultateve në faqen e KQZ-së është nesër në mesditë.

“Për shkak të numrit të madh të dosjeve dhe madhësive të dokumenteve që do të publikohen dhe konsiderojmë se deri ditën e nesërme në ora 12 mund të kemi të kompletuar publikimin e të gjitha rezultateve, të cilat kanë të bëjnë me kuvendin komunal”, ka thënë Ahmetaj.

Anëtari i KQZ-së, Adnan Rrustemi nga radhët e Vetëvendosjes, ka ngritur disa çështje që kanë të bëjnë me kutitë e rinumëruara, duke kërkuar që të bëhet një tabelë krahasuese në ato vendvotime për partitë politike, për të ditur se sa vota kanë pasur më herët dhe sa kanë tash pas rinumërimit.

Ai po ashtu ka kërkuar që të dalin para përgjegjësisë personat që kanë ndikuar ose kanë ndërhyrë në procesin zgjedhor.

“Burimi ta analizojë këtë proces dhe të na sjellë një rezultat përfundimtar që KQZ-ja ta adresojë në prokurori listën e të gjithë atyre komisionarëve që në mënyrë të qëllimshme e kanë devijuar vullnetin e votuesve, për raste më të theksuara, për raste më drastike, në mënyrë që KQZ-ja të marrë një vendim për kallëzim penal”, ka thënë Rrustemi për Kp.

Shpallja e rezultateve për kuvendet komunale është bërë nga anëtari i KQZ-së Betim Gjoshi nga radhët e PDK-së, i cili ka drejtuar mbledhjen e radhës së KQZ-së në mungesë të kryetares Valdete Daka.

Në Prishtinë, në zgjedhjet lokale të 22 tetorit më së shumti ulëse në asamblenë komunale ka siguruar Vetëvendosje me 17 ulëse, pasuar nga LDK me 15.

“Prishtinë. 27.127 vota Vetëvendosje-17 ulëse. LDK 23.203 vota, 15 ulëse, PDK 9.005 vota, 6 ulëse, AAK 8.198 vota, 5 ulëse, AKR 6.238 vota, katër ulëse, LB 2621 vota, 2 ulëse, Nisma për Kosovën 2.323 vota, 1 ulëse, Alternativa 1196 një ulëse”, ka thënë Gjoshi.

Ai ka bërë të ditur se nga nesër nis afati për ankesa nga ana e kandidatëve për asamble komunale.

“Nga nesër rrjedh afati i ankesave, në mënyrë që të mos i hyjmë në hak kandidatëve, të cilët për arsye të ndryshme kanë arritur që të mos zgjidhen”, ka thënë Gjoshi.

KQZ ka marrë vendim që në tri vendvotime në komunën e Parteshit të përsëriten zgjedhjet më 19 nëntor, pas ankesës së kandidatit Nenad Cvetkoviq, i cili akuzoi kandidatin e Listës Serbe, Dragan Petkoviq, për blerje të votave dhe manipulim të procesit zgjedhor.

Stevan Veselinoviq nga Lista Serbe është shprehur kundër këtij vendimi, duke e quajtur me karakter politik dhe do të ketë implikim në bashkësinë serbe.

“Mua krejt kjo më duket si një skenar i bërë, pasi Lista Serbe është viktimë e një politike të keqe i qarqeve të caktuara politike në Prishtinë dhe para se gjithash në mënyrë më tragjike shkel vullnetin e votuesve. Lista Serbe nuk do të ketë rezultat më të dobët në zgjedhjet e përsëritura, madje do të ketë më të mira”, ka thënë Veselinoviq.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Sami Hamiti nga LDK-ja, duke thënë se qarqet politike në Prishtinë nuk kanë ndikuar për marrjen e vendimit për përsëritjen e zgjedhjeve në Partesh.

Ndryshe, më 19 nëntor, organizohet rrethi i dytë i votimeve për kryetarët e rinj. Gara më interesante pritet të zhvillohet në komunat më të mëdha, si Prishtina, Mitrovica, Gjakova, Ferizaj dhe Prizreni.

Në rrethin e dytë të zgjedhjeve LDK garon në 12 komuna, PDK në 9, Vetëvendosje në 6 komuna, AAK në 5 komuna, kurse AKR, Nisma për Kosovën dhe Alternativa nga 1 komunë.