Raportohet se disa punëtor kishin gjetur eshtra të njerëzve

Raportohet se disa punëtor kishin gjetur eshtra të njerëzve

Pas raportimit se në Novi Pazar janë gjetur mbetje mortore të disa personave, Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur ka filluar të kontaktojë me zyrtarë të këtij qyteti serb për të marrë më shumë informacione lidhur me mbetjet mortore.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Prenk Gjetaj tha se me të parë raportimet në media ka filluar të kontaktojë me zyrtarë nga Novi Pazari.

“Tani e lexova edhe unë, tani po përpiqem të bie në kontakt me dikë nga Novi Pazari për me më tregua diçka më konkrete nëse kanë njohuri”, tha Gjetaj përmes telefonit.

Përndryshe, punëtorët që janë duke punuar në ndërtimin e ndërtesës së re të Ndihmës së Shpejtë në Novi Pazar i kanë gjetur mbetjet mortore, ku më pastaj punimet janë ndalur. Deri më tani nuk dihet se për çfarë mbetje mortore bëhet fjalë.

Dyshohet se me mijëra shqiptarë për fatin e të cilëve ende nuk dihet që nga viti 1999 janë të varrosura në varreza masive në Serbi.

Gërmimet e fundit në vendin e quajtur Kizhevak kanë rezultuar negative dhe nuk është gjetur asgjë në atë vend.