Kompania amerikane e interesuar të investojë në Kosovës

Kompania Vermeer nga Iowa e interesuar për investime në Kosovë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka priti sot një delegacion të Kompanisë Vermeer nga Iowa/SHBA, të kryesuar nga Markos Georgantas – Menaxher i Përgjithshëm, me të cilët diskutoi për kushtet e përgjithshme për investime në Kosovë dhe resurset që ka vendi ynë.

Duke pasur parasysh profilin e veprimtarisë së kësaj kompanie amerikane, Ministri Lluka u ndal kryesisht në sektorin minerar dhe atë të riciklimit.

Ai tha se Kosova posedon një gamë të gjerë të resurseve minerare ku mund të orientohen investitorët e jashtëm, duke përmendur këtu zonat me interes të veçantë, të cilat shumë shpejtë do të jenë të hapura për investime, thuhet në njoftimin e dërguar nga ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Kreu i MZHE-së ka bërë të ditur se Qeveria ka ndërmarrë një sërë masash për të përmirësuar kornizën institucionale dhe ligjore në funksion të përmirësimit të klimës për investime, çka është pasqyruar edhe në raportet e fundit të organizatave ndërkombëtare.

Ministri Lluka nënvizoi se edhe sektori i riciklimit dhe përpunimit janë ndër sektorët më potencial për investime të jashtme dhe ftoi kompaninë Vermeer që të investojë në Kosovë.

Ndryshe, kompania Vermeer është lider botëror në prodhimin e pajisjeve të bujqësisë, ndërtimtarisë, nxjerrjen e mineraleve, riciklimit organik dhe përpunimit të mbeturinave të drurit./21Media

Back to top button