BSPK kërkon që mos të ushtrohet presion ndaj SBASHK-ut

Loading...

BSPK kërkon që mos të ushtrohet presion ndaj SBASHK-ut

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) përmes një komunikate për media ka shprehur reagimin e saj karshi presioneve që po i bëhen Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK-ut) për kompensimin e orëve të punës, për kohën sa ishin në greva.

“Të mos harrojmë se sipas Ligjit Nr. 03/L-200 për Grevat, greva definohet si ndërprerje e organizuar e punës nga ana e të punësuarve me qëllim të realizimit të të drejtave dhe interesave ekonomike, sociale dhe profesionale nga marrëdhënia e punës. As Ligjin nr. 04/L-011 për Organizmin dhe Veprimin Sindikal dhe as Ligji Nr. 03/L-200 për Grevat nuk e parasheh asnjë lloj kompensimi të punës apo të dëmeve eventuale nëse grevat janë të ligjshme dhe të organizuar konformë normave të ligjeve të aplikueshme në vend.”, bëhet e ditur në komunikatë.

Në komunikatë më tej bëhet e ditur se BSPK-ja shpreh shqetësimin e thellë ndaj presioneve që po i bëhen SBASHK-ut dhe bënë thirrje që jo veç ndaj SBASHK-ut, por edhe ndaj asnjë sindikate tjetër të mos bëhet presion për kompensimin e kohës së humbur në punë derisa ishin në greva apo protesta të organizuara, përmes respektimit të dispozitave ligjore për ta avancuar pozitën e punëtorëve.

“Lusim organet gjegjëse dhe deputetët e këtij vendi, që të mos ndikohen nga pamaturia e disa udhëheqësve të institucioneve tona për t’i përkrahur vendimet e njëanshme dhe tendencioze që po ndërmerren për të bërë presion ndaj sindikalistëve, në të kundërtën BSPK është e gatshme për një mobilizim të përgjithshëm të një vale të re të presioneve sindikale në mbrojtje të të drejtave sociale e ekonomike të punëtoreve që po shkelen çdo ditë.”, bëhet e ditur në komunikatë.

Sot komisioni për Arsim, Shkencë dhe Teknologji ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku është diskutuar kompensimi i orëve të humbura nga greva e mësimdhënëseve. Me këtë rast, nga ana e këtij komisioni është kërkuar se pavarësisht shpjegimeve, orët duhet të kompensohen dhe se duhet t’i jepet kohë sindikatës një javë që të ulet dhe të merr vendim për vazhdimin e mësimit dhe të shtunën e ardhshme të fillojë mësimi.

Këtë kërkesë e ka mbështetur ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, duke theksuar se në rast të mos respektimit të vendimit për kompensim, do të merren të gjitha masat ligjore.

Kurse, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, fillimisht u shpreh i vendosur se kompensimi i orëve nuk do të ndodhë. Mirëpo, pastaj ka kërkuar që ministri të tërheq vendimin e tij dhe pas diskutimeve në Këshill Drejtues të dakordohen të gjithë mësimdhënësit që në mënyrë humane dhe morale të merret vendimi a do të zëvendësohen orët.

Më 4 mars, SBASHK-u ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore lidhur me vendimin e MASHT-it për kompensimin e orëve të humbura për shkak të grevës disajavore të mësimdhënësve, me kërkesën për rritje të koeficientit. Këtë kërkesë të premten, më 8 mars, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar si të pabazuar./21Media