Komuna e Gjilanit pranon donacion dhjetë koncentratorë të oksigjenit

Komuna e Gjilanit ka pranuar një donacion prej dhjetë koncentratorëve të oksigjenit nga shoqata Islamic Relief Kosova, i cili kap shifrën tetë mijë euro.
Gjatë ceremonisë të pranimit, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka falënderuar shoqatën për mbështetjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm.
“Kemi pranuar dhjetë koncentratorë të oksigjenit të cilët do t’i shërbejnë mjekësisë familjare në Gjilan, një pjesë prej tyre në QKMF-në, ndërkaq të tjerët në qendrat tjera shëndetësore. Janë aparatura të mira, të përdorshme dhe, siç e kuptova, janë më të avancuara sesa ato që i kemi tash, mund të përdoren për dy pacientë dhe kanë kapacitet më të madh në litër të oksigjenit”, ka thënë Hyseni.
“Ndërkohë, tash është ndarë edhe urgjenca si shërbim i veçantë, 24 orë e me dy ekipe në terren, pastaj kujdestaria dhe në këtë formë po shkurtohet orari i pritjes dhe po bëhet një lloj riogranizimi i brendshëm për të cilin jemi duke punuar. Po punojmë edhe objektet tjera të mjekësisë familjere në mënyrë që shërbimet të jenë sa më të mira e sa më efikase për qytetarët”, ka shtuar ai.
Përfaqësuesja e Islamic Relief Kosova, Albulena Gashi-Hajrullahu, ka shfaqur zotimin se se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe me projekte të tjera./21Media

Back to top button