Në shenjë të kujtimit për Astrit Deharin

Në shenjë të kujtimit për Astrit Deharin

Komuna e Prishtinës do t’i ndalë sot për pesë minuta shërbimet me palë duke filluar nga ora 14:00.

Sipas Drejtorit të Inspektoratit të Prishtinës, Adonis Tahiri një gjë e tillë do të bëhet në shenjë kujtimi për Astrit Deharin.

“Në shenjë kujtimi për Astrit Deharin dhe në shenjë proteste për moszbardhjen e rastit të tij, Komuna e Prishtinës në mënyrë simbolike do t’i ndalë të gjitha shërbimet me palë për pesë minuta, prej orës 14:00. Këto pesë minuta do të jenë minuta të shprehjes së respektit e kujtimit për kolegun tonë Astrit Dehari. Gjithashtu, le të jetë kjo edhe porosi se jeta në Republikën e Kosovës nuk mund të vazhdojë normalisht, pa u zbardhur në tërësi rasti Dehari.”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Ndërsa sot në kryeqytet me moton “Drejtësi për Astritin” po mbahet marshi në trevjetorin e vdekjes së aktivistit të ndjerë të VV-së, Astrit Dehari. Familjarët e aktivistit Dehari, kreu i LVV-së, Albin Kurti, avokati Tomë Gashi e emra të tjerë janë grumbulluar para sheshit “Skëndërbeu” dhe do të marshojnë drejtë Prokurorisë Speciale./21Media