Komuna e Prizrenit: Policia nuk na ka asistuar për rrënim të objektit pa leje në ‘Abi Çarshia’
21 Korrik 2019
Haskuka: Sot policia nuk u ka ofruar asitencë inspektorëve komunalë
Haskuka: Sot policia nuk u ka ofruar asitencë inspektorëve komunalë
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, dhe drejtori i Inspektoratit në këtë Komunë, Islam Thaqi, në një konferencë të jashtëzakonshme për media kanë thënë se Policia e Kosovës nuk u ka ofruar asistencë për vazhdimin e rrënimeve të një pjese të qendrës tregtare “Abi Çarshia”, e cila sipas tyre nuk ka leje ndërtimi.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka thënë se ka probleme në bashkërendimin e institucioneve të cilat sipas tij, duhet ta ndihmojnë dhe asistojnë Komunën në punët e saj.
“Kemi shumë probleme dhe në shumë raste sidomos me Ministrinë e Ambientit dhe në rastin e fundit sot edhe me Policinë e Kosovës, edhe pse edhe në vitin e kaluar ka pasur raste që policia në vend që të ndihmojë Komunën e Prizrenit në impelmentimin e vendimeve ajo ka dalë në anën e atyre që kanë uzurpuar ose në anën e atyre që e kanë shkelur ligjin”, tha ai.
Sipas Haskukës, të gjitha veprimet me këtë rast janë të bazuara në ligjet në fuqi.
“Investimi në fjalë është tejkalim i lejes së dhënë dhe në atë aspekt, sipas të gjitha procedurave duhet të rrënohet. Sot policia nuk u ka ofruar asitencë inspektorëve komunalë. Nuk ka zhvillim pa sundim të ligjit”, shtoi më tej Haskuka.
Ndërkaq, drejtori i Inspektoratit në këtë Komunë, Islam Thaqi tha se ata qëndrojnë para interesave të qytetarëve të Komunës.
“Policia e Kosovës është e obliguar të na asistojë dhe të na ofrojë siguri neve si institucion e jo individëve të caktuar në këtë ngjarje”, tha Thaqi.
Kurse, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj ka thënë për KALLXO.com se gjatë ditës së sotme nuk ka pasur nevojë për asistencë të Policisë.
“Sot nuk ka pasur nevojë për asistim, është urdhri i prokuriorit kujdestar dhe i minsitrisë me u ndërpre punimet aty. Ata kanë kërkuar të ndalet rrënimi dhe Policia nuk ka pasur nevojë me iu ofru asistencë”./kallxo.com