Komunat veriore i kanë borxh ujësjellësit 13 milionë euro

Për këtë borxh kompania paguan rregullisht TVSH-në

Borxhet që komunat veriore të cilat administrohen nga serbët i kanë Kompanisë Rajonale “Ujësjellësi”në Mitrovicë, aktualisht kanë arritur shumën prej 13 milionë eurosh.

Për këtë borxh kompania paguan rregullisht TVSH-në dhe kjo e rëndon akoma gjendjen financiare të kësaj kompanie.

Kështu u bë e ditur gjatë takimit të sotëm në mes të nënkryetarit të Mitrovicës Faruk Mujka dhe drejtorit të Kompanisë Rajonale “Ujësjellësi”në Mitrovicë, Sami Miftari, ku u diskutua gjendja në kompani dhe mundësitë e përmirësimit të saj.

Në takim u konstatua se është i nevojshëm angazhimi maksimal i të gjitha niveleve për zgjidhjen e këtij problemi.

“Komuna do ta mbështesë ujësjellësin sikurse edhe në të kaluarën, sidomos në realizimin e projekteve për furnizim me ujë për pije në fshatrat Zasellë, Koshtovë, Vërnicë dhe Çabër, ku do të përkushtohet që nga buxheti vetjak dhe përmes gjetjes së donacioneve të sigurohen mjete të mjaftueshme materiale për përfundimin e tyre”, ka thënë Mujka.

Back to top button