Skenderajt pritet t’i shtohet një spital i ri

“Ne jemi këtu që të përmbajmë premtimin që të ndërtojmë një spital dhe një pendë në Skenderaj”

Një delegacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka vizituar komunën e Skenderajt. Delegacioni është zotuar që do ta ndërtojë spitalin që e kishin premtuar kohë më parë gjatë vizitës së tyre të parë.

Kreu i qytetit të Skenderajt, Bekim Jashari ka thënë se komuna që ai drejton është e interesuar për gjithë partnerët që investojnë në Skenderaj.

“Sot ka ardhur në vizitën e tij të dytë miku im i dashuri Danieli me sekretarin Zinke dhe me miq të tjerë për të parë mundësitë e investimeve në vendin tonë. Ne si komunë jemi të interesuar  qysh e kemi theksuar dhe më herët për pendën e Drenicës. Po ashtu dhe investime tjera të mundshme që këta janë të interesuar dhe të gatshëm  me investuar  në komunën tonë dhe Kosovën tonë të dashur, varet vullneti ynë politik, lokal dhe qendror”, ka thënë Jashari.

Ndërsa, përfaqësuesi i delegacionit Amerikan, Daniel Canonn ka thënë se arsyeja e vizitës së tyre është që të përmbushin premtimin e dhënë që të ndërtojnë një spital në Skenderaj.

“Ne jemi këtu që të përmbajmë premtimin ndaj kryetarit të Skenderajt, Bekim Jashari që të ndërtojmë një spital dhe një pendë këtu në Skenderaj. Ne jemi këtu që të përmbushim premtimin ndaj popullit të Kosovës dhe natyrisht ndaj popullit të Skenderajt”, ka thënë ai.

Kurse, përfaqësuesi tjetër i këtij delegacioni, ish komandanti që ka luftuar në Kosovë, Ryan Zinke ka thënë se lufta për liri nuk përfundon kurrë.

Sipas tij, Kosova ka mundësi të mëdha për prosperitet dhe për këtë arsye rinia e këtij vendi, siç thotë ai duhet të ketë një hise në projektet që do të vijnë.

“Është nder me i rikthyer në Kosovë, si një ish komandat i ABS që ka luftuar këtu, dhe është e ngrohtë të kem mundësi të jem në prani të liderëve të mëdhenj dhe të kujtojmë që lufta për liri nuk përfundon kurrë. Dhe Kosova që ka mundësi të mëdha për prosperitet  dhe të sigurohemi që rina e këtij vendi e kanë një hise në prosperitet  dhe në projektet që do të vijnë”, ka shtuar Zinke.

Ndërkaq, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari në fund u dhuroi simbolin e komunës që sipas tij nënkupton kullën e Adem Jasharit dhe simbolin e Shqiptarëve.

Back to top button