Komunitetet pakicë kërkojnë të kenë një ministri

Berisha: Gjendja e tri komuniteteve ndryshon në qoftë se udhëheqin ministri

Deputeti nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, pas takimit me mandatarin për formimin e qeverisë, Albin Kurti tha se kanë kërkuar nga ky i fundit që të kenë ministrinë e 13-të.

Berisha tha se deri tani tri komunitetet nuk kanë pasur përfaqësim. “Kërkesa jonë ka qenë prej fillimit që të kemi një përfaqësim ku komunitetet kanë mundësi të jenë më aktive në vendimmarrje. Komuniteti egjiptas ka kërkuar nga fillimi që të ketë një fuqi më të madhe politike sidomos në qeverisje. Normalisht kërkesat tona ishin në tryezë, u bisedua gjatë për mundësinë e një bashkëpunimi, megjithatë ka mbetur që të kthehemi prapa dhe të bisedojmë me kryesitë tona dhe ditëve në vijim do të kemi një vendim se a do ta përkrahim, apo jo. Është një kërkesë legjitime që të ndryshojë meqenëse edhe votuesit kanë votuar për ndryshime. Edhe ne si komunitete në veçanti egjiptase, romë dhe ashkalinj, e dini që kemi qenë të pa përfaqësuar me ministri dhe ka qenë kërkesë shumë legjitime që kësaj radhe këto komunitete të drejtojnë mundësi dhe të ndryshojë opinioni per neve se ne jemi të zotë për të drejtuar ministri”, tha Berisha.

Berisha tha se kjo ka mbetur të shqyrtohet nga mandatari për formimin e qeverisë, Albin Kurti. “Komunitetet në këtë rast janë partner i tretë. Ka qenë përshtypja që komunitetet mbështesin në secilën situatë çfarëdo qeverie në ardhje. Nuk qëndron ashtu, ne i kemi kërkesat tona për çdo qeveri që bëhet, nuk jemi ithtarë të një qeverie të pakicës, jemi ithtar të një qeverie që është stabile dhe e çon vendin para dhe ku mundësia të bëjë ndryshime”, u shpreh ai.

Berisha tha se nuk do të pengojnë formimin e qeverisë, megjithatë ai kërkon që të drejtojnë një ministri si komunitete.

Sipas tij, gjendja e tri komuniteteve ndryshon në qoftë se udhëheqin ministri. Për këtë tha se ka vullnet nga kreu i LVV-së, Albin Kurti.

Back to top button