Komuniteti serb i interesuar të shërbejë në FSK

“Në 120 ditëshin e parë parashihet që Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës të transformohet në Ministri të Mbrojtjes, pastaj riorganizimi i Shtabit të Përgjithshëm dhe komandave…”

Anipse një numër i madh i tyre u larguan vitin që shkoi, interesimi i serbëve për të shërbyer në institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës është mjaft i madh. Për vetëm 70 vende të punës në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrinë e FSK-së janë lajmëruar rreth 300 pjesëtarë të komunitetit serb.

Institucionet janë të vendosura që edhe Forca e re të jetë shumë-etnike dhe në interes të të gjithë qyetarëve të Kosovës.

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, i cili do të drejtojë Ministrinë e Mbrojtjës, në një intervistë për Kp ka folur për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës. Ai ka thënë që kapacitetet aktuale Forca do t’i bartë në mandantin e ri, dhe do të zhvillojë të tjera që janë të nevojshme për Forcën e re.

I pyetur për pjestarët serb të cilët nga presioni i Beogradit u larguan nga FSK dhe plotësimin e vendeve vakume aty, Berisha ka treguar që ka mjaft interesim nga të tjerë serbë. Ai ka bërë të ditur se në tre mujorin e parë të këtij viti do t’i plotësojnë ato vende të punës.

Berisha ka thënë se pret që një marrëveshje gjithpërshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, do të ndikonte edhe në integrimin e komunitetit serb në FSK dhe instituione të tjera. Ai ka theksuar që nuk kanë pretendime territoriale ndaj asnjë shteti fqinj, dhe që njëjtë duhet të jenë edhe të tjerët ndaj Republikës së Kosovës.

Ministri Berisha ka thënë se Forca do të veprojë në tërë territorin e Kosovës. “Forca e Sigurisë së Kosovës, edhe me mandatin e ri do të veprojë në terë territorin e Kosovës, në momentin që të arrijmë t’i ngrisim ato kapacitetet e plota, atëherë veprimtaria e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të jetë në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Berisha ka treguar se në 120 ditëshin e parë parashihet që MFSK të trasformohet në Ministri të Mbrojtjes, por thekson që do të jetë një vit sfidues.

“Në 120 ditëshin e parë parashihet që Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës të transformohet në Ministri të Mbrojtjes, pastaj riorganizimi i Shtabit të Përgjithshëm dhe komandave siç janë komanda e forcës tokësore, komanda e trajnimit dhe doktrinës, komanda e logjistikës dhe garda nacionale. Është një vit mjaft sfidues, po ashtu edhe një prej sfidave tjera është edhe hartimi ose planifkimi në aspektin e dokumentacioneve të cilat do të mbështesin zhvillimin e kësaj force në dokumentacionet strategjike, operacionale, dhe taktike”, ka shtuar ai.

Më 14 dhjetor 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar pakon me tri projektligje që i hapin rrugë trasnfomimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës. E më 28 dhjetor, presidenti i vendit nënshkroi dokumentet dhe procedurat përmbyllen me publikimin e tyre në gazetën zyrtare.

Transformimi i FSK-së po bëhet me ndryshime ligjore, meqë për ndryshime kushtetuese duhej edhe përkrahja e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, e këta të fundit vazhdojnë të kundërshtojnë formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Back to top button