Është refuzuar kërkesa e avokatit të Ismailit

Është refuzuar kërkesa e avokatit të Ismailit

Gjykata në Prishtinë refuzoi kërkesën e avokatit të Fisnik Ismailit për hedhje poshtë të aktakuzës në lidhje me lotsjellësin në Kuvend.

Por Betim Shala, avokati i deputetit Ismaili  kundërshtoi provën mbi të cilin bazohet aktakuza

“Provën të cilën e ka përdorë- një procesverbal mbi konfiskimin e përkohshëm të sendeve, në atë provë nuk është saktë e cekur, respektivisht në atë provë ceket që konfiskohen dy bombola me ngjyrë të zezë plastike dhe dyshohet që janë bombola gazi”, tha avokati.

Shala më tutje konstatoi se është dashur të kishte ekspertizë të atyre bombolave në mënyrë që të dihej se a ishin të mbushura me gaz, apo me çokollatë.

“Çka është ma e keqja në atë provë nuk ka asnjë element identifikues të atyre dy bombolave që me mujt tash në qoftë se ekzistojnë ende me kërku ekspertizën e përmbajtjes së tyre, a kanë qenë me gaz, a me çokollatë”, tha avokati për Kallxo.com

Ismaili po akuzohet mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar të armëve.

Sipas Prokurorisë, Fisnik Ismailit më 30 nëntor të vitit 2015, rreth orës 10:45, pas kontrollit nga Policia e Kosovës në hollin e Kuvendit të Kosovës i janë gjetur dy bombola me gaz lotsjellës, të fshehura në këpucët e tij.

Aktakuza thotë se tendenca e Ismailit kishte qenë t’i fuste bombolat me gaz lotsjellës në sallën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës.