Arrestohet 72 vjeçari

Arrestohet 72 vjeçari

Specialistët për hetimin e krimeve në komisariatin e Policisë në Pogradec, kanë arrestuar në flagrancë të shtetasit R.F., 72 vjeç, banues në fshatin Dardhas, Pogradec.

Sipas Policisë, mbrëmë, në fshatin Dardhas, pas një konflikti për motive të dobëta, ky shtetas dyshohet se ka tentuar të vrasë shtetasit B.F., 42 vjeç dhe D.F., 40 vjeç (vëllezër), banues në Dardhas, duke hedhur në drejtim të tyre një granatë.

“Si pasojë e shpërthimit të granatës njëri prej vëllezërve, shtetasi D.F., ka pësuar një dëmtim të lehtë. Nga veprimet e para të grupit hetimor ka rezultuar se autori për shkak se nuk lejonte të kalonte fadroma për të hapur rrugën, me pretendimin se i cenohej prona e tij, është konfliktuar me dy vëllezërit e disa banorë të tjerë dhe gjatë konfliktit, ky shtetas ka hedhur granatën në drejtim të dy vëllezërve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë , si edhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.