Për herë të parë në mbi 40 vjet

Për herë të parë në mbi 40 vjet

Komiteti për marrëdhënie të jashtme i senatit amerikan ka zhvilluar një seancë të titulluar Autoriteti për të urdhëruar përdorimin e armëve bërthamore, ku ka shqyrtuar aurotitetin e presidentit amerikan për sulme bërthamore. Kryetari i panelit, republikani Richard Burr, e kishte akuzuar presidentin Donald Trump muajin e kaluar se po i shpien Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt një lufte të tretë botërore, shkruan rtv21.tv

Në muajin gusht, Trump ishte zotuar ti kundërpërgjigjet siç kishte thënë me “një zjarr dhe tërbim” të paparë deri më tani, Koresë Veriore nëse kjo e fundit vazhdon zgjerimin e programit të saj të armëve bërthamore.

Herën e fundit kur Kongresi e ka debatuar këtë çështje, ka qenë një seancë katër ditore e mbajtur në mars të vitit 1986.

Senatori demokrat Chris Murphy, nga Konektikat, e ka sqaruar arsyen për mbajtjen e  seancës së sotme publike. “Jemi të shqetësuar sepse presidenti është aq i paqëndrueshëm, dhe ka një proces vendimmarrjeje po aq të paqëndrueshëm, sa që do të mund të urdhëronte një sulm bërthamor që do të ishte kundër interesave nacionale të sigurisë amerikane”, ka thënë Murphy.

Presidenti amerikan e ka autoritetin e vetëm për të urdhëruar një sulm bërthamor, i cili do të mund të lansohej nga ndonjë nëndetëse, avion apo raketë balistike ndërkontinentale, mjete këto që përbëjnë të ashtuquajturën “treshen bërthamore”.

Miratimi i kongresit kërkohet për përdorim të forcës ushtarake konvencionale, por kompetencat bërthamore kanë mbetur brenda autoritetit të presidentit që nga përfundimi i epokës bërthamore. Kjo për shkak se një raketë balistike e armikut e lansuar nga ana tjetër e botës do të mund ti godiste Shtetet e Bashkuara të Amerikës brenda 30 minutash./21Media