Konjufca: Hoti u shkarkua, sepse ishte njeriu i pari që kërkoi rrëzimin e Qeverisë

Konjufca: Hoti u shkarkua, sepse ishte njeriu i pari që kërkoi rrëzimin e Qeverisë

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se mocioni i mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë u bë me qëllim të keq nga kryetari i LDK-së Isa Mustafa. Ai thotë se ai e shfrytëzoi situatën e ngutisë përmes planit të ambasadorit Grenell, që ta godasë Vetëvendosjen, e para popullit të fitojë pikë.

Konjufca në një emision televiziv ka shtuar se ky kalkulim i LDK-së është afatshkurtër dhe një gropë në të cilën do të bie vet.

“Është turp t’i gënjesh qytetarët e Kosovës. Mustafa e ka ditur që po e shkel marrëveshjen e koalicionit, por ka thënë se ‘Grenelli po thotë kështu’. Ne kemi thënë që te Grenelli do të shkojmë përmes tre hapave. Ne kemi thënë që tarifa do të hiqet dhe do të bëhet reciprociteti. Me këtë ka kaluar edhe Vjosa Osmani. Çka po bënë tash LDK-ja, po i thotë Vjosa Osmanit ta hapim derën për të dalë nga partia. Ky është mashtrim ndaj qytetarëve”, ka thënë ai.

Konjufca ka thënë se LDK e shfrytëzoi Vjosa Osmanin për të mbledhur vota.

“Si mendoni ju, ta shfrytëzoni Vjosa Osmanin të mbledhin votat e pastaj 50 ditë pas kapërcimit të buxhetit e kthejmë kokën nga PAN-i”, ka thënë ai.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka thënë se Avdullah Hoti u shkarkua nga posti i zëvendëskryeministrit të parë pasi ishte njeriu kryesor pas rrëzimit të qeverisë. Ai thotë se autoriteti de jure i Kurtit është dobësuar, por ai de facto i është ngritur.

“Në kuptimin e kompetencës ligjore Qeveria dobësohet. Ka autoritet de jure, dhe de facto. De jure ta jep pozita, ta jep karrigia. Kurtit nuk i rrjedh autoriteti nga karrigia, por nga lidhja që ka me popullin. Autoriteti de jure i tij është dobësuar, por ai de facto i është ngritë”, u shpreh ai./koha.net