Konjufca: Brenda dy ditësh do të dihet përfundimisht nëse do të ketë koalicion mes VV-së dhe LDK-së

Konjufca: Brenda dy ditësh do të dihet përfundimisht nëse do të ketë koalicion mes VV-së dhe LDK-së

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se posti i kryeministrit është pika e vetme që për momentin ndahen me LDK-në.

Konjufca, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se nominimi i Vjosa Osmanit për kryeministre nga LDK në Vetëvendosje është parë në dy aspekte.

“Aspekti i parë,  mendoj se nominimi i ka shtuar gjasat për koalicion mes LDK-së dhe Vetëvendosjes për arsye të qëndrimeve që ka përfaqësuar Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës. Nëse i sheh qëndrimet, gjuhën dhe artikulimet e Osmanit janë të ngjashme me Vetëvendosjen. Kjo është e nënkuptueshme se këtu kemi të bëjmë me një lloj afrie LDK-Vetëvendosje. Por forma si është prezantuar Vjosa Osmani, pra në mënyrë të njëanshme, pa biseduar fare dhe në një tendencë të çartë të faktit të kryer. Ne kemi mundur qysh moti të mbledhim Këshillin e Përgjithshëm dhe të shpallim kandidatë për kryeministër Albin Kurtin, por ne kemi lënë me qëllim me një shpresë se do të ketë dakordim paraprak me LDK-në për emrin e kryeministrit”.

Konjufca ka thënë se brenda dy ditësh do të dihet përfundimisht nëse do të ketë koalicion mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.

“Do ta kuptojmë definitivisht se si forcat politike do të garojnë në zgjedhje. Albin Kurti ka qenë vazhdimisht insistues për një bashkëpunim me LDK-në”.

Nënkryetari i Vetëvendosjes ka thënë se të gjitha pengesat tjera mes LDK-së dhe Vetëvendosjes tejkalohen, por momentalisht posti i kryeministrit mbetet pika që ndanë dy partitë./Telegrafi/