Koordinimi i duhur ndërinstitucional i nevojshëm për zhvillimin e sektorit të shitjeve me pakicë

Anëtarët kishin mundësinë e adresimit të cështjeve të ndryshme të cilat afektojnë operimet e tyre

Krijimi i parakushteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik është subjekt i koordinimit të duhur ndërinstitucional me qëllim të hartimit të politikave të cilat përmirësojnë ambientin e të bërit biznes dhe trajtojnë në mënyrë të duhur çështjet problematike të cilat pamundësojnë fuqizimin e sektorit privat.

Duke marrë për bazë çështjet sfiduese në këtë drejtim, Rrjeti i Shitësve me Pakicë ka organizuar takimin e radhës me u.d të zv. Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore, Nahit Sharku, Drejtorin e Shëndetit Publik në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Flamur Kadriu, dhe Drejtorin e Departamentit të Shërbimit dhe Edukimit në Administratën Tatimore, Sami Salihu. Temat e diskutimit kishin të bënin me nevojën e koordinimit në mes të Administratës Tatimore dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë lidhur me çështjen e asgjësimeve. Ndërsa, çështjet e tjera që u diskutuan ishin: çështja e kallos si dhe mundësia e reduktimit të normës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për sektorin e HoReCa.

Yllka Metaj, Drejtoreshë Ekzekutive në Rrjetin e Shitësve me Pakicë, theksoi se organizimi i takimeve të tilla në mes të bizneseve operuese në sektorin e shitjeve me pakicë dhe institucioneve publike është i domosdoshëm për përmirësimin e kushteve për zhvillimin e këtij sektori, ndërsa potencoi se roli i institucioneve si Administrata Tatimore dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, luan një rol krucial në këtë drejtim.

Nahit Sharku, u.d i zv. Drejtorit të Përgjithshëm në Administratën Tatimore, theksoi se është në interesin e të dyja palëve që të bëhet thjeshtësimi i procedurave të asgjësimeve për çështje tatimore, ndërsa shtoi se koordinimi i duhur në mes të Administratës Tatimore dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë është i domosdoshëm në përmirësimin e këtij procesi. Ai ftoi bizneset që të dërgojnë proceset e tyre të asgjësimit në mënyrë që Administrata Tatimore të identifikojë fushat për përmirësim.

Në të njejtën kohë, Flamur Kadriu, Drejtor i Shëndetit Publik në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, theksoi se ky Agjencion ka për qëllim të garantojë zbatimin e rregullave për sigurimin ushqimor, ndërsa shpjegoi procedurën se si duhet trajtuar mallrat të cilat duhet t’i nënshtrohen asgjësimit. Ai theksoi se procedura e inspektimeve të produkteve në sektorin e shitjeve me pakicë nga Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë duhet të bëhet në përputhje dhe me praktikat e Administratës Tatimore për procedurën e asgjësimit. Në këtë drejtim, ai potencoi se do të ndërmarrë masa që të informojë inspektorët e Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë lidhur me afatin kohor prej 10 ditësh për asgjësim të ofruar nga Administrata Tatimore prej datës së deklarimit të produkteve. Në këtë mënyrë, ai theksoi se do të eliminohet mundësia që inspektorët të denojnë subjektet ekonomike për produkte të cilët do t’i nënshtrohen procedurës së asgjësimit.

Sami Salihu, Drejtor i Departamentit të Shërbimit dhe Edukimit në Administratën Tatimore, njoftoi anëtarët lidhur me dispozitat ligjore të cilët përcaktojnë procedurën e deklarimit të produkteve për asgjësim. Tutje, ai potencoi nevojën e hartimit të dispozitave ligjore për trajtimin e kallos pasi që është e pamundur që ushqimet e shpejta t’i nënshtrohen procedures së asgjësimit pas një afati prej 10 ditësh. Salihu, gjithashtu njoftoi anëtarët lidhur me masat e ndërmarra nga Administrata Tatimore për edukimin e inspektorëve në mënyrë që të evitohen mundësitë për praktika të gabuara të vënies së gjobave ndaj subjekteve ekonomike.

Lidhur me çështjen e trajtimit të kallos, Sharku theksoi se është momenti i duhur dhe se ATK është e interesuar që kjo problematikë të zgjidhet përmes dispozitave ligjore që duhet t’i hartojë Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike. Në anën tjetër, Sharku theksoi se reduktimi i normës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për sektorin e HoReCa është i nevojshëm pasi që do të rezultonte ne formalizimin e bizneseve që operojnë në këtë sektor, ndërsa do të mundësonte gjithashtu për zgjerimin e tyre.

Në diskutimin e hapur me biznese, anëtarët kishin mundësinë e adresimit të cështjeve të ndryshme të cilat afektojnë operimet e tyre, ndërsa theksuan që do të ndihmojnë këto institucione duke ofruar njohuri mbi praktikat më të mira në rajon dhe më gjerë.

Back to top button