Zhvillimet e fundit nuk u kanë pëlqyer qytetarëve

Zhvillimet e fundit nuk u kanë pëlqyer qytetarëve

Kosova është duke u përballur me epideminë e virusit COVID-19, por është e zhytur edhe në një krizë politike pasi që Lidhja Demokratike e Kosovës vendosi të dalë nga koalicioni qeverisës për shkak të mos heqjes së tarifës dhe shkarkimit të Agim Veliut nga detyra e ministrit të Brendshëm.

Mocioni i mosbesimit është dorëzuar të premten në Kuvendin e Kosovës, ndërsa kryesia e këtij institucioni do të mblidhet për të caktuar seancën kur edhe pritet rënia e Qeverisë Kurti, pasi të gjitha partitë opozitare e kanë mbështetur iniciativën e LDK-së.

Këto zhvillime nuk i kanë pëlqyer aspak qytetarëve, të cilët për disa net me radhë po protestojnë nga ballkonet e tyre me tenxhere, duke bërë zhurmë.

Sa i përket betejës me COVID-19, të dielën ka vdekur pacienti i parë me koronavirus, 82-vjeçari nga Podujeva, ndërsa numri i rasteve ka shkuar në 33.

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kanë deklaruar se dy javët në vazhdim janë vendimtare në luftën me virusin COVID-19 duke i ftuar qytetarët të ndjekin rekomandimet e ekspertëve.

Madje, Vitia ka paralajmëruar se i ka kërkuar kryeministrit masa shtesë që kanë të bëjnë me kufizimin e lëvizjeve të qytetarëve dhe makinave.

Ndërsa, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur se është gati të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.

“Institucionet e shtetit duhet të jenë të gatshme, që në rast nevoje të shpallet menjëherë Gjendja e Jashtëzakonshme. Duke punuar së bashku do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë”, ka shkruar Thaçi në facebook.