Raste të reja të Koronavirusit po raportohen përreth botës

Raste të reja të Koronavirusit po raportohen përreth botës

Numri i infektimeve në gjithë botën ka tejkaluar 351 mijë, megjithatë një lajm i mirë në tragjedi është fakti që mbi 100 mijë persona janë shëruar.

Mbi 15 mijë ka shkuar numri i të vdekurve në të gjithë botën. Më e prekura vazhdon të mbetet Italia. Vetëm gjatë ditës së djeshme në këtë shtet janë raportuar mbi 5.500 raste dhe 651 vdekje. Numri i përgjithshëm i vdekjeve në këtë vend ka arritur në gati 5.500, derisa në rreth 60 mijë ka mbërritur numri i të infektuarve.

Me numër të infektimeve vazhdon të prijë Kina që ka më shumë se 81 mijë, megjithatë rastet e reja janë ulur në gati 0, me shumicën e rasteve të importuara që raportohen. Numri i të vdekurve në Kinë është 3270.

Numri i të infektuarve në Shtetet e Bashkuara është rritur ndjeshëm, duke zënë vendin e tretë me numër të të infektuarve. Mbi 35 mijë ka arritur numri i përgjithshëm, e mbi 450 numri i viktimave në vend.

Pas Italisë vendi që po vuan më së shumti është Spanja. Brenda 24 orëve atje janë raportuar mbi 4300 të infektuar, e mbi 430 të vdekur, duke ngritur numrin e të vdekurve në mbi 2.200, si dhe të infektuarve në mbi 33 mijë.

Gjermania është një ndër shtetet evropiane me numrin më të lartë të personave të infektuar me koronavirus, me mbi 26 mijë të tillë, por befasisht me një ndër përqindjet më të vogla të vdekjeve në krahasim me infektimet dhe numrin e popullsisë. Deri më tani numri i të vdekurve ka arritur në 111, sipas faqes së statistikave worldometers.

Zvicra ka raportuar mbi 1 mijë raste brenda ditës, duke arritur në mbi 8500, derisa numri i përgjithshëm i të vdekurve ka shkuar në 118. Edhe Franca ka raportuar mbi 670 raste brenda 24 orëve duke ngritur numrin e të infektuarve në mbi 16 mijë e 600, teksa numri i të vdekurve ka arritur në 674.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të aktivizojë Gardën Kombëtare për të ndihmuar në ngritjen e stacioneve mjekësore dhe shpërndarjen e qindra tonelatave furnizime në tre shtetet e goditura më së keqi nga shpërthimi i koronavirusit: Kaliforni, Nju Jork dhe Uashington.

Në një konferencë për media nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se garda do të jetë në komandën e tre guvernatorëve, shtetet e të cilëve përbëjnë 58 për qind të rasteve me koronavirus në gjithë SHBA-në.

Shteti i Nju Jorkut ka numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus: mbi 15,000.

Komisioneri i Policisë së Nju Jorkut, Dermot Shea, tha të dielën se 70 pjesëtarë të policisë lokale kanë dalë pozitivë në testet për koronavirus.

Autoritetet turke kanë konfirmuar se numri i përgjithshëm i personave të vdekur nga koronavirusi në Turqi ka shkuar në 30 pas regjistrimit të nëntë viktimave të reja.

289 raste të reja kanë dalë pozitivë me COVID 19 vetëm gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar në mbi 1200 numrin e përgjithshëm të të infektuarve.

Australianët kanë filluar të jetojnë nën kufizime të rrepta të hënën në kohën kur numri i personave të infektuar ka shkuar në mbi 1700.

Irani ka vazhduar me raportim të lartë të infektimeve, me mbi 1.400 brenda ditës. Kësaj i shtohen edhe 127 viktima brenda ditës, duke mbërritur numri i përgjithshëm në mbi 1.800./21Media