Korrupsioni në Shqipëri ‘mbyt’ bizneset kosovare

“Tregtia me Shqipërinë: Sa komplekse?”

Pavarësisht se viteve të fundit ka një rritje të këmbimeve tregtare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, disa biznese i konsiderojnë procedurat burokratike dhe taksat e vendosura si të panevojshme dhe të ekzagjeruar.

Me qëllim të diskutimit mbi kompleksitetin e tregtisë me Shqipërinë dhe vështirësitë me të cilat bizneset në Kosovë ballafaqohen, Oda Ekonomike Amerikane ka organizuar konferencën e titulluar “Tregtia me Shqipërinë: Sa komplekse?”

Përveç barrierave të ndryshme të aplikuara nga autoritet e Shqipërisë ndaj prodhuesve kosovarë, Besir Cmega nga Railtrans ka thënë se ndër barrierat është edhe korrupsioni, i cili vërtet ekziston.

“Kemi prezencë të korrupsioni në doganë dhe në rastet e dhënies së koncesionit, siç është rasti i portit të Durrësit. Barriera e tretë ka të bëjë me rastin e skanimit të detyrueshëm të mallrave. Kjo ndodhë vetëm për të vjelë një taksë që i bie se së bashku me taksën rrugore të vendosur së fundmi, është rreth 90 euro kostoja apo ngarkesa nga autoritet e Shqipërisë për çdo maunë”, tha ai.

Po ashtu, ai tha se edhe ‘bakshishi’ i detyrueshëm prej 1 mijë lekë në Morinë për çdo transportues është shqetësuese, si dhe barriera tjetër, sipas tij, është edhe për të transportuar në vendet e treta, ku kërkohet leje e posaçme.

Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka thënë se të gjitha barrierat e vendosura ndaj bizneseve si nga Shqipëria, po ashtu edhe nga pala e Kosovës, janë të pakuptimta.

Kryetari i Bordit të Odës Ekonomike Amerikane, Ilir Ibrahimi, tha se ka një përpjekje nga dy qeveritë shqiptare për heqjen e barrierave tregtare, mirëpo një gjë e tillë nuk po ndodh.

“Një integrim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mund të ndodhë vetëm atëherë kur bizneset e të dyja vendeve ndihen të barabartë”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka ngritur si shqetësuese edhe taksën rrugore në Rrugën e Kombit, që  është një prej barrierave shtesë për bizneset e Kosovës.

Ndërsa, Mërgim Prishtina nga Trepharm, ka thënë se me mbledhjet e qeverive të përbashkëta me një pompozitet të madh, të mos i hidhet hi syve ndaj bizneseve për certifikata, siç është rasti i certifikatës fitosanitare.

Sipas tij, problemet në Shqipëri janë të të bërit biznes, derisa bilanci tregtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është një me pesë në favor të Shqipërisë.

 

Back to top button