KOSID: Struktura e re e tarifave, dëmton konsumatorët

KOSID ka thënë se struktura e re për tarifat e energjisë dëmton konsumatorët

Konsorciumi Kosovar i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) organizuan tryezë me qytetarë dhe biznese për të diskutuar rreth strukturës së re tarifore të propozuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Përfaqësuesit nga INDEP dhe KOSID prezantuan analizën të cilën e kanë hartuar duke marrë për bazë strukturën e propozuar, e cila parasheh heqjen e tarifave sezonale dhe bllok tarifave dhe mbajtjen e tarifave të larta dhe të ulta (ditë dhe natë).

Dardan Abazi nga INDEP u shpreh se heqja e tarifave sezonale dhe e atyre të blloqeve është ndryshim tejet i madh që ndikon edhe në xhepin e konsumatorëve por edhe në sjelljen e tyre karshi konsumit të energjisë elektrike.

Kurse, Ymer Fejzullahu, udhëheqësi i Departamentit për Tarifa dhe Çmime në ZRRE, tha se në dokumentin propozues të ZRRE-së janë renditur parimet kryesore të propozimit të strukturës së re të cilat qartësojnë arsyet për propozimet në ndryshimin e strukturës tarifore.

“Parimet kryesore lidhur me dizajnimin e strukturës tarifore kanë për qëllim që tarifat e energjisë elektrike të jenë të arsyeshme, transparente, të kuptueshme, të pasqyrojnë kostot dhe të nxisin konsum efiçient. Në këtë mënyrë pra, propozimi i bërë do të jetë edhe i kuptueshëm, por edhe i arsyeshëm ku do të pasqyrohen kostot qartë dhe do të nxitet efiçienca,” tha Fejzullahu.

Përfaqësuesja nga KOSID, Rinora Gojani, tha se ZRRE-ja duhet të rishqyrtojë këtë propozim dhe të mos ndryshojë strukturën aktuale të tarifave të energjisë elektrike.

“Eliminimi i tarifave sezonale në kohën që po hyjmë në sezonin e ultë veror dëmton edhe konsumatorët familjar e edhe ata biznesor. Struktura tarifore dhe ndryshimi i saj po bëhet në kundërshtim me parimin e stimulimit të kursimit të energjisë elektrike, duke marrë parasysh që struktura në blloqe, në mungesë të fondit të efiçiencës, mbetet mjeti i vetëm financiar për nxitje të kursimit të energjisë elektrike. Pra, kjo skemë e re e propozuar është inkurajuese për konsumin, kurse dekurajuese për promovimin e efiçiencës së energjisë. Gjithashtu, eliminimi i tarifave sezonale vjen me rrezikun për import me tarifa më të shtrenjta – edhe pse dihet se aktualisht çmimi i importit është dyfish më i lartë se çmimi i importit”, tha Gojani.

Back to top button