Kosnett: Bëhuni shembull i diversitetit etnik

Kosnett apeloi që të gjithë qytetarët të respektojnë njëri-tjetrin

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett sot qëndroi për një vizitë në Gjakovë, ku pati takime të ndara me kryetarin e Komunës, Ardian Gjinin dhe Komisionin Komunal për Komunitete dhe Kthim.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini tha se me ambasadorin Kosnett bisedoi për mundësitë e zhvillimit ekonomik dhe social në Gjakovë si dhe për të ardhmen e Kosovës. Ai shtoi se populli i Kosovës është i bekuar të ketë një mik si Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Diplomati amerikan, Kosnett u njoftua për së afërmi me gjendjen e komuniteteve jo shumicë në komunën e Gjakovës, ndërsa apeloi që të gjithë qytetarët të respektojnë njëri-tjetrin dhe ta shndërrojnë Gjakovën në qytet shembull ku mbizotëron respekti i ndërsjellë dhe diversiteti etnik, kulturor e fetar.

Nga ana tjetër, anëtarët e Komisionit Komunal për Komunitete kërkuan nga ambasadori Kosnett ndihmën e tij në ri-integrimin e komuniteteve jo shumicë, me theks të veçantë në çështjen e strehimit, si njëra prej sfidave më të mëdha për këto komunitete.

Back to top button