Kurti: Në muajin e parë nevojitet takim me Borellin

Kurti: Në muajin e parë nevojitet takim me Borellin

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett sot është takuar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti në zyrat e këtij subjekti.

Kosnett në këtë takim shprehu kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve, si dhe uroi Kurtin për një fushatë që adresoi shqetësimet e votuesve.

Vetëvendosje bëri të ditur se ambasadori tregoi interesim të veçantë në përparimin kundër korrupsionit, për ekonominë, dhe për përparimin në dialogun me Serbinë, drejt arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të sillte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon.

Nga ana e tij, Kurti e siguroi Kosnett-in se do të jetë kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës.

 

Ai e njoftoi ambasadorin se konsolidimi i brendshëm i Kosovës me shtetndërtim demokratik, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe progres shoqëror është prioritet që do ta zbatojë, meqë edhe nevojat e qytetarëve e vullneti i tyre i shprehur në këto zgjedhje ishte për këtë.

Kurti tha se “dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës, nga poshtë lartë për zhvillim e integrim të serbëve qysh në javën e parë. Ndërkaq, në muajin e parë nevojitet takim me z. Borell, përfaqësuesin e ri të lartë të BE-së për Siguri e Politikë të Jashtme, si dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, sepse dialogu me Serbinë duhet të jetë i përgatitur mirë e me parime të qarta. Paraprakisht duhet të mbyllet kapitulli i 33 marrëveshjeve të mëhershme, përkatësisht vlerësimi i zbatimit dhe i ndikimit të tyre. Nuk duhet të vonohemi por s’kemi as pse nxitohemi e bëjmë gabime që na kushtojnë pastaj”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Josep Borell deklaroi dje se “nëse Kina, India dhe Rusia nuk e njohin Kosovën, Kosova nuk do të jetë shtet. Kjo është arsyeja pse ne duhet të punojmë për të vazhduar bisedimet”./21Media