Kosnett konfirmon mbështetjen për Policinë

Ai vlerësoi lart përpjekjet dhe kontributet e PK-së për sigurinë e qytetarëve

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett gjatë një vizite që i bëri sot Policisë së Kosovës konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës së SHBA-së ndaj Policisë së Kosovës, veçanërisht në lidhje me fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Gjatë takimit me drejtorin e Përgjithshëm i Policisë së Kosovës (PK-së), Rashit Qalaj, diplomati amerikan vlerësoi përpjekjet dhe kontributet e PK-së për sigurinë e të gjithë qytetarëve.

Ai me këtë rast u shpreh i inkurajuar nga politikat e Policisë së Kosovës që kanë të bëjnë me përfshirjen dhe trajtimin e barabartë të të gjitha etniciteteve.

Ndërsa, drejtori Qalaj siguroi ambasadorin Kosnett se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore karshi qytetarëve pa dallime, në të mirë të sigurisë dhe rendit.

Temë diskutimi e këtij takimi ishin siguria e përgjithshme në Kosovë, lufta kundër të gjitha llojeve të krimit, ngritja dhe forcimi i integritetit dhe kapaciteteve policore, vazhdimi i bashkëpunimit me të gjitha institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare, si dhe synimi drejt anëtarësimit të PK-së në organizata ndërkombëtare.

Back to top button