Kossnet merr shembull Atifete Jahjagën dhe Era Istrefin

Kossnet merr shembull Atifete Jahjagën dhe Era Istrefin

Në diskutimin e bërë në Javën e gruas, organizuar në kuadër të Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett e ka sfiduar kryeministrin Ramush  Haradinaj që brenda një periudhe të shkurtër kohore të emërojë më shumë gra në kabinetin qeveritar dhe të merr shembull institucionin e policisë, ku sipas tij, ka pasur rritje të përfaqësimit të grave.

Duke folur për angazhimin e grave në institucionet e Kosovës dhe shoqëri, diplomati amerikan ka theksuar se fuqizimi i grave dhe të drejtave të tyre duhet të vazhdojë me intensitet më të lartë, dhe se për të punuar për këtë, nuk është detyrë vetëm e grave, por e të gjithëve.

Ambasadori Kosnett, mes tjerash, ka thënë se rreth 50 për qind e popullatës në Kosovë, duke iu referuar grave po pengohen në shoqërinë kosovare. Sipas tij, kur gratë janë pjesë e proceseve vendimmarrëse rrisin produktivitetin e një vendi dhe për këtë ai ka përmendur sukseset e artistëve dhe sportistëve tanë.

“Gratë në Kosovë janë duke bërë gjëra të mëdha, shumë gra çdo vit po hyn në universitete, presidentja Jahjaga, Era Istrefi janë disa shembuj të mirë. Pra, kryeministër unë të sfidoj të shohim pjesën tjetër të qeverisë të kapë performancën e policisë”, ka porositur Kosnett.

Kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur se në Kosovë gjithmonë i është kushtuar rëndësi avancimit të rolin të grave, ku sipas tij janë larguar shumë tabu, mirëpo, siç ka thënë ai tabu ka mbetur bartja e trashëgimisë në pronë, ku ka probleme në implementim.

Përkundër kësaj, shefi i ekzekutivit të vendit, ka thënë se ka qenë shumë e vështirë për të krijuar qeverinë me më shumë gra në kabinetin qeverisës.

“Ka qenë bukur e vështirë në atë kohë krijimi i qeverisë me më shumë femra, për fat sot kemi dy ministre femra, por ka qenë një proces mjaft i vështirë në kohën e themelimit të qeverisë”, ka thënë ai.

Ndërsa, gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Donikë Dobruna është shprehur e lumtur me angazhimin e saj dhe rolin që e ka pasur ky organizim në avancimin e saj në karrierën e saj.

Duke përmendur sundimin e ligjit në Kosovë, ajo ka thënë se duhet të jetë më efikas dhe i pavarur.

“Në mënyrë që sundimi i ligjit të jetë i qëndrueshëm, të zhvillojë dhe të krijojë një bazament në mënyrë që të krijojë një shoqëri demokratike. Sundimi i ligjit, përveç ligjshmërisë, sigurisë ligjore, parandalimit të keqpërdorimit të pushtetit, qasjes në drejtësi, nënkupton para se gjithash barazi për të gjithë para ligjit dhe jo diskriminim. Këtë të fundit po mundohemi të arrijmë dhe me gjyqësorin. Shikuar nga profesioni im, në mënyrë që sistemi gjyqësor të jetë funksional dhe i besueshëm, ai duhet të jetë i pavarur”, u shpreh ajo.

Java e gruas është bërë tashmë tradicionale në Kosovë, ku pritet të zgjasë rreth një javë me diskutime të ndryshme për avancimin e rolit të gruas në shoqëri.