Veseli merr pjesë në shënimin e 10-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Bullgari

Veseli merr pjesë në shënimin e 10-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Bullgari

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë vizitës zyrtare në Sofje, ka marrë pjesë në shënimin e kremtes zyrtare për shënimin e 10-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Bullgarisë, ku ishin të pranishëm edhe kryetarja e Parlamentit të Bullgarisë dhe zyrtarë të lartë të Bullgarisë dhe korit diplomatik, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Në këndvështrimin aktual të këtij 10-vjeçari, vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes të Kosovës dhe Bullgarisë është përshkuar si një rrugëtim i përbashkët, ku në procese të rëndësishme, Kosova ka marrë mbështetjen e pakursyer të Bullgarisë dhe për këtë ne ju jemi shumë falënderues. Dhe kjo ndihmë në fakt nuk ishte diçka e re apo e papritur nga vendi mik Bullgaria, pasi që autoriteteve bullgare në asnjë kohë dhe rrethanë nuk u ka munguar gatishmëria për përkrahje ndaj Kosovës, e me theks të veçantë ne kujtojmë dhe çmojmë shumë ndihmën bullgare gjatë vitit 1999, të cilët së bashku me Rumaninë dhe Hungarinë mbyllën hapësirën ajrore për të ndihmuar NATO-n dhe për të parandaluar diçka që mund të kishte qenë shumë e paparashikueshme për stabilitetin e rajonit”, tha Veseli.

Sot, 20 vite nga ajo kohë, jemi në vigjilje të kremtimit të ditës më të shënuar të historisë së re të Kosovës, Ditës së Çlirimit dhe jam shumë i lumtur që kam mundësinë edhe fizikisht të jem sot këtu dhe t’i falënderoj me konsideratën më të lartë të gjitha institucionet bullgare të të gjitha niveleve të cilët në atë kohë dhanë kontributin e tyre të çmuar që ne sot të jemi një vend i lirë dhe duke rrugëtuar sigurt drejt integrimit Euro-Atlantik. Populli i Kosovës, qytetarët e lirë të vendit tim u janë mirënjohës”, tha Veseli.

Kreu i Kuvendit po ashtu theksoi faktin se Bullgaria ishte ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës më 2008. “Gjatë gjithë këtij rrugëtimi kur flasim për ndihmën që na është dhënë në rrugën tonë të shtet-ndërtimit ne dëshirojmë të falënderojmë Bullgarinë. Do të doja ta shfrytëzoj këtë mundësi për të përgëzuar dhe falënderuar Qeverinë Bullgare e cila përgjatë presidencës së BE-së tregoi një bashkëpunim të sinqertë me Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

Në koncertin festiv të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Bullgari, ishin të pranishëm edhe kryetarja e Parlamentit të Bullgarisë, Tsveta Karayancheva, zëvendësministri i Jashtëm dhe përfaqësues tjerë qendror e lokal si dhe përfaqësues të korit diplomatik të akredituar në Bullgari. “Për mua është nder që sonte jam bashkë me miqtë e Kosovës për të kremtuar 10-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike. Bullgaria e Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme dhe ne do të punojmë që ta forcojmë edhe bashkëpunimin ekonomik. Kosova është shtet mik i yni dhe Bullgaria do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane. Meqenëse jemi në këtë festë, dua ta uroj gjithë popullin e Kosovës”, tha kryeparlamentarja e Bullgarisë, Tsveta Karayancheva.

Në koncertin festiv të 10-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Bullgari ka ekzekutuar disa vepra kitaristi kosovar me renome botërore, Petrit Çeku, bashkë me Kuartetin Harkor të Sofjes.