Për sanimin e pasojave dhe evidentimin e saktë të shkallës së dëmtimit

Për sanimin e pasojave dhe evidentimin e saktë të shkallës së dëmtimit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se gjendja në Durrës dhe Thumanë të Shqipërisë pas tërmeteve vazhdon të jetë e rëndë.

“E përcolla më vëmendje mbledhjen e Qeverisë së Shqipërisë dhe konstatimin e gjendjes nga kryeministri Rama. Tani shtrohet nevoja urgjente për sanimin e pasojave që të mos rrezikohet asnjë jetë e njerëzve”, tha Thaçi përmes një postimi në “Facebook”.

Thaçi pas një bisede telefonike këtë mëngjes me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se Kosova do të dërgojë trupa shtesë të FSK-së.

“Pas bisedës telefonike me kryeministrin Rama, nga sot Kosova dërgon trupa shtesë të Forcës së Sigurisë, të specializuara për sanimin e pasojave dhe konstatimin dhe evidentimin e saktë të shkallës së dëmtimit të ndërtesave në zonat e goditura nga tërmeti”, njoftoi Thaçi.

Sipas presidentit kthimi i njerëzve nëpër shtëpi duhet të bëhet në mënyrë të organizuar vetëm pas konstatimit real që shtëpitë dhe banesat të jenë të sigurta dhe të mos ndodhin fatkeqësi të tjera.

Në ditën kur ka ndodhur tërmeti vdekjeprurës, Kosova ka dërguar 40 pjesëtarë të FSK-së nga njësitë e specializuara. Gjithashtu në orët e hershme të mëngjesit të së martës, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, ka mobilizuar njësitet e saja policore të cilat i ka nisur në drejtim të Republikës së Shqipërisë. Njësitet policore të PK-së kanë shkuar në Shqipëri në përbërje prej njëqind e dhjetë (110) operatorëve të njësiteve të specializuara, të pajisura me pajisje të ndryshme logjistike.

Për vizitë dje në Shqipëri ka qëndruar edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi – madje gjatë kohës së fjalimit të tij para mediave ka ndodhur edhe një tjetër tërmet i fuqishëm prej 5.6 shkallë të rihterit./21Media