Kosova dhe Hungaria për implementim të bashkëpunimit financiar

Gjatë këtij takimi, vëmendje e posaçme i është kushtuar projekteve të rëndësishme në fushën e mjedisit

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur në takim delegacionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë të Hungarisë, të udhëhequr nga komisioneri ministror, Istvan Joo.

Sipas komunikatës nga MPJ, veç ri-theksimit të mbështetjes së fuqishme hungareze ndaj anëtarësimit të plotë të Kosovës në Komunitetin Ndërkombëtar dhe avancimit të agjendës euro-atlantike, një vëmendje e posaçme i është kushtuar projekteve të rëndësishme në fushën e mjedisit.

Në takim konkretisht është biseduar rreth implementimit të Marrëveshjes për Themelimin e Programit Kornizë për bashkëpunim financiar ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Hungarisë, si dhe formimin e komitetit drejtues nga Ministria e Financave e Kosovës, me qëllim të identifikimit të projekteve, si dhe përgatitjen e kushteve për zbatimin e tyre.

Pacolli foli rreth prioriteteve të Kosovës, duke nënvizuar projektet në fushën e trajtimit të mbeturinave dhe të ujërave të zeza. Ai gjithashtu theksoi se nga zbatimi i këtyre projekteve do të jetë një mundësi e mirë e përfitimit nga përvojat hungareze, gjë që njëkohësisht do të shërbejë në themelimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Pala hungareze ka cekur rëndësinë e identifikimit, si dhe zbatimit të projekteve të cilat do të realizohen në kuadër të marrëveshjes për themelimin e programit kornizë për bashkëpunim financiar me Kosovën.

Gjatë kësaj bisede, janë ri-konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyeshme në mes dy vendeve me zotime dhe përkushtime të reja për forcimin e mëtejmë të këtyre marrëdhënieve në fusha të interesit të përbashkët.

Në takim morën pjesë edhe ambasadori i Hungarisë në Kosovë Laszlo Markuz, Presidenti i Komitetit për Ballkanin Perëndimor të Odës Ekonomike dhe të Industrisë së Hungarisë, Attila Galambos, si dhe Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës Albena Reshitaj./21Media

Back to top button