Shala: Duhet të jemi bashkë për shtetin

Shala: Duhet të jemi bashkë për shtetin

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës ka hequr taksën e vendosur për Maqedoninë e Veriut.

Ministri në largim i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, në muajin gusht kishte marrë vendim që t’i vendos masa reciproke produkteve të Maqedonisë së Veriut.

Ky vendim i Shalës erdhi pasi produktit të Kosovës, rasadit të peshkut i janë vendosur barrierat tarifore nga ana e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sot ai nëpërmjet një shkrimi në Facebook ka njoftuar se ka marr vendim që të suspendoj masat reciproke ndaj shtetit fqinj, shkruan rtv21.tv

Vetëm kur bëhemi bashkë për shtetin tonë mund ta arrijmë qëllimin, mund ta arrijmë respektin e të gjithëve. Pas reflektimit të Maqedonisë së Veriut edhe unë sot kam marr vendim që ta suspendoj vendimin për masa reciproke të para disa javëve në lidhje me produktet e Maqedonisë së Veriut që hyjnë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë t’i mbrojmë prodhimet kosovare, vetëm duke rritur prodhimin dhe duke rritur eksportin mund ta zhvillojmë shtetin. Prandaj, duhet të jemi bashkë për shtetin”, shkroi Shala.

Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, në konferencën për media sot bëri të ditur se me Republikën e Kosovës kanë gjetur zgjedhje dhe masat janë tërhequr. Ai shtoi se Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë vendim që të lejojë importin e ikrës dhe peshkut në Maqedoninë e Veriut./21Media