Kosova dhe Shqipëria t’i heqin barrierat burokratike

Haradinaj thotë se duhet të ndyshojnë parametrat ekonomik

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot ka pritur në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në Kosovë dhe Shqipëri.

Haradinaj me këtë rast ka vlerësuar rolin e Shqipërisë në mbështetjen e Kosovës në procesin shtetformues dhe proceset tjera me rëndësi për vendin, duke thënë se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të thellohet edhe më tutje, në fushën e zhvillimit ekonomik, të këmbimeve tregtare, arsim, kulturë, shëndetësi dhe fusha tjera të interesit të përbashkët.

Sipas një komunikate për medie, gjatë takimit kryeministri ka kërkuar mbështetjen e Shqipërisë për rrugën e integrimit euroatlantik, anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, dhe në organizata tjera të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare.

“Mbështetja që ka dhënë Shqipëria për Kosovën në të gjitha etapat ka qenë e rëndësishme, andaj kërkojmë që bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve të vazhdojë edhe në fushën e zhvillimit ekonomik. Ne duhet t’i ndryshojmë parametrat ekonomik mes vete dhe t’i heqim barrierat burokratike”, tha Haradinaj duke falënderuar ministrin Bushati për rolin konstruktiv të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal.

Në këtë takim është biseduar edhe për marrëveshjet e arritura ndërmjet dy vendeve dhe nivelin e zbatimit të tyre, po ashtu edhe për përgatitjet që janë duke u bërë për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që do të mbahet në nëntor të këtij viti në Pejë.

Ndërkaq, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka vlerësuar progresin e Kosovës duke e përgëzuar kryeministrin Haradinaj për vendimin pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga Parlamentit Evropian, në të njëjtën kohë ka shprehur gatishmërinë e shtetit shqiptar që edhe më tutje të vazhdojë mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike./21Media

Back to top button