Kosova dhe Shqipëria me mundësi për oferta të përbashkëta turistike

Dakordohen për thellimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, sot është takuar me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit i Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi, i cili ishte i shoqëruar nga kryetarët e Bashkive të Vlorës dhe Himarës, përkatësisht Dritan Leli dhe Jorgo Goro, si dhe nga një grup operatorësh turistikë.

Shala tha se në këtë takim janë dakorduar për thellimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit.

“Biseduam për mundësinë e krijimit të ofertave të përbashkëta për turistë si për detin e Shqipërisë dhe pakon turistike malore të Kosovës”, tha Shala.

Ndërsa, Klosi tha se takim i sotëm kishte për qëllim diskutimin për ofertën e përbashkët, Kosovë-Shqipëri.

“Është e pafalshme që dy vendet të mos kenë politikë të përbashkët për turizëm. Për çdo vit është duke u rritur numri i turistëve nga Kosova. Deti është pasuri e gjithë kombit shqiptar. Ndërsa, Kosova po ashtu ka malësitë e bukura për turistë”, tha Klosi.

I pyetur për ndikimin e mundshëm të uljes së numrit të turistëve kosovarë, për shkak të taksës rrugore në rrugën e kombit prej 5 euro një drejtim, nuk është përgjigjur.

Turizmi malor në Kosovë vazhdon të jetë më atraktiv. Gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe Doganës, janë shënuar më shumë se 700 mijë vizita, me 138 nacionalitete të ndryshme që kanë hyrë në Kosovë.

Ndërsa Shqipëria nga revista të ndryshme ndërkombetare konsiderohet si destinacion i preferuar për pushime në bregdet. /21Media

Back to top button