“Qeveria ime është e interesuar të vazhdojë ndihmën për Kosovën"

“Qeveria ime është e interesuar të vazhdojë ndihmën për Kosovën”

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot është takuar me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar , me të cilin ka biseduar për investimet e shtetit të Turqisë dhe bashkëpunimin në fushën e mjedisit.

Me këtë rast, ministri Matoshi tha se Turqia mbetet një partner serioz dhe një shtet i rëndësishëm për Kosovën si në investime ekonomike ashtu edhe në fushën e mjedisit.

“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me shtetin e Turqisë sa i përket fushës së mjedisit. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka marrë një sërë masash teknike dhe ligjore për përmirësimin e ambientit”, tha ministri Matoshi.

Ministri Matoshi dhe ambasadori Sakar, kanë diskutuar edhe për iniciativën e fundit të MMPH-së për rregullimin e përdorimit të qeseve të plastikës, shisheve të plastikës dhe kënaçeve.

“Çështja e përdorimit të qeseve të plastikës, shisheve, duhet të rregullohet sepse hedhja e tyre vend e pa vend nuk po jep një pamje të mirë për shtetin tonë”, deklaroi ministri Matoshi.

Ndërsa ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për mbështetje të Kosovës në fushën e mjedisit.

“Qeveria ime është e interesuar të vazhdojë ndihmën për Kosovën. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju dhe të gjejmë rrugën e duhur për investime në fushën e mjedisit”, tha ambasadori Sakar.