Vasolli theksoi nevojën që Qeveria e re të investojë më shumë në resurse njerëzore

Vasolli theksoi nevojën që Qeveria e re të investojë më shumë në resurse njerëzore

Shteti i Kosovës pritet të ketë shumë më të vështirë përfitimin e fondeve IPA nga Bashkimi Evropian. Edhe pse ka një rritje prej 1.1 përqind të fondeve IPA 3 për Ballkanin Perëndimor, Kosova nuk i ka të ndara enkas mjetet financiare si më parë. Por, do të jetë në konkurrencë të ashpër me shtetet e tjera ballkanike për përfitimin e tyre.

Në lidhje me këtë, ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka për Kp tha se për përfitimin e këtyre fondeve do të hartojnë një plan real dhe do të ketë një menaxhim më të mirë se në të kaluarën. Pasi sipas tij, keqmenaxhimi mund të bëjë që të humbin këto fonde.

“Nuk do të jetë më i ulët, por sigurisht se do të shikohet më me kujdes ndarja e ardhshme. Duke pas parasysh përvojën e kaluar. Pa dashur të merrem me menaxhimin e paraardhëses sime, nuk më takon. Por na është thënë në takimet e para që kisha me përfaqësuesit e BE-së që të jemi shumë më syhapur dhe llogaridhënës në shfrytëzimin e fondeve IPA. Paraprakisht na duhet një plan real dhe një menaxhim më i mirë. Fundja ju e dini se IPA fondet janë fonde të decentralizuara dhe përgjegjësia bartet tek ne. Po ashtu paaftësia jonë dhe keqmenaxhimi mund të na i humb fondet”, tha Reka.

Se duhet një menaxhim më i mirë për të përfituar fondet e BE-së tha edhe Demush Shasha nga instituti “Epik”. Në një prononcim për Kp, ai këtë e bazoi në mënyrën e tanishme si do të ndahen ato, pasi sipas tij secili vend i Ballkanit Perëndimor do të jetë në garë në vendin tjetër për të përfituar fondet e BE-së.

Ndërsa, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Besnik Vasolli theksoi nevojën që Qeveria e re të investojë më shumë në resurse njerëzore dhe të bëjë planifikimet e duhura se cilat fonde mund të përfitojë.

Implementimi i fondeve IPA 3 do të fillojë prej vitit 2021 dhe do të zgjasë deri në vitin 2027.