Ndeshja Kosovë - Islandë

Ndeshja Kosovë – Islandë

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll nesër do të ndeshet me Islandën në kuadër të parakualifikimeve për në kampionatin botëror 2023.

Në konferencën për media të mbajtur një ditë para ndeshjes kanë folur drejtori sportiv Granit Rugova, kapiteni Dardan Berisha si dhe trajneri Christos Marmarinos, i cili ditë më parë mori drejtimin e përfaqësueses së Kosovës.

Drejtori sportiv i Kosovës, Granit Rugova u shpreh shkurtimisht se deri më tani gjithçka ka shkuar siç duhet dhe Kosova tanimë është gati për përballje e nesërme.

“Sa i përket këndit tim, deri tash çdo gjë po duket ashtu siç e kemi menduar. Lojtarët janë shumë optimistë, shumë të përgatitur për këtë ndeshje dhe besoj që do t’ia dalim me ndihmën e Dardanëve me ndihmën dhe përkrahj en e tifozëve do t’ia dalim që edhe këtë ndeshje ta fitojmë”, tha Rugova.

Trajneri i Kosovës, Christos Marmarinos u shpreh se ka qenë shumë i kënaqur me mbarëvajtjen e ushtrimeve me Kosovën edhe pse ka qenë një kohë shumë e shkurtër për të përgatitur skuadrën për këtë ndeshje.

“Unë jam shumë i kënaqur me mënyrën se si ushtruan djemtë, ata dhanë gjithçka që ata kanë dhe për ne kjo është ajo që duam. Ne duam të kemi nivelin më të mirë të mundshëm të performancës sa herë që duhet të jemi pjesë e përgatitjes të ndeshjes ose kudo që takohemi. Të gjithë ne jemi shumë krenarë dhe po e them këtë si një person që erdhi i fundit në ekip, dhe jam i sigurt që flas në emër të të gjithëve që janë anëtarë të ekipit. Jemi shumë krenarë që përfaqësojmë Kosovën në këto ndeshje dh e urojmë që të mund të besojmë në këtë energji dhe në këtë krenari për të gjithë ata që do e shikojnë këtë lojë nesër dhe shpresojmë në rezultat të mirë që do të na jap forcë për të vazhduar rrugëtimin tonë”, tha Marmarinos.

Ndërsa, kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha u shpreh se janë shumë të motivuar që nesër të arrijnë një fitore kundër një kundërshtari të fortë siç është Islanda.

Kujtojmë që ndeshja Kosovë – Islandë zhvillohet të enjten me fillim nga ora 19:00 në Prishtinë.