Kombëtarja U-20 pati paraqitje të mirë

Kombëtarja U-20 pati paraqitje të mirë

Në një ndeshje të hendbollit Kosova gjunjëzoi Sllovakinë, pas një lufte të madhe deri në momentin e fundit. 27:26 ishte rezultati në të mirë të kombëtares U-20 të Kosovës në hendboll në ndeshjen e së dielës që ishte e vlefshme për pozitën e shtatë në kampionatin evropian, Divizioni B. Me këtë ndeshje Kosova i ka dhënë fund evropianit që u mbajt në Podgoricë të Malit të Zi.

Ekipi kosovar prej fillimit e deri në fund ishin në avantazh, ndërsa sllovakët ia dolën vetëm të barazojnë në dy-tri raste. Ishte vlerësim se edhe gjyqtarët nga Finlanda në disa raste kanë dëmtuar kombëtaren tonë, por portieri Flakrim Beqiraj ishte i pamposhtur në shumë momente. Ndërkohë Jon Muqolli e Drenit Tahirukaj kanë “bombarduar” portën rivale. Ata u ndihmuan nga Lulzim Shabani, Labinot Gubetini, Atdhe Basholli, Festim Mustafa, Adrian Halili, Agon Bajqinovci, Art Luzha, Arbër Dugolli, Jon Vokshi, Besian Abazi por edhe nga Etrit Hoxha, Yll Muqolli, Bardh Berisha, që nuk patën rastin të aktivizohen por ishin të gatshëm për të dhënë kontributin.

Në përgjithësi në Evropian kombëtarja U-20 pati paraqitje shumë të mirë edhe pse u përball me kundërshtarë të fortë dhe kishte orar shumë të ngjeshur. Për nëntë ditë luajti shtatë ndeshje./21Media