Haradinaj u takua me zëvendës-ndihmës Sekretarin e Shtetit Amerikan, Matthew Palmer

Haradinaj u takua me zëvendës-ndihmës Sekretarin e Shtetit Amerikan, Matthew Palmer

“Kosova është e palëkundur në fuqizimin e partneritetit bilateral dhe strategjik, si dhe thellimin e miqësisë së përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, kështu ka thënë kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit me zëvendës ndihmës Sekretarin e Shtetit Amerikan, Matthew Palmer.

Haradinaj, siç theksohet në komunikatën e qeverisë, gjatë takimit me z. Palmer ka theksuar se rikthimi në tavolinën e dialogut pa kushte dhe me afat dhe kornizë të qartë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është rruga e vetme që dy shtetet i përafron me strukturat euro-atlantike.

Me këtë rast kryeministri në detyrë ka shtuar se caktimi i Zëvendësndihmës Sekretarit, Matthew Palmer, si i dërguari i posaçëm për këtë temë nga Departamenti i Shtetit është sinjal i mbështetjes së vazhdueshme për Kosovën nga ShBA-ja.

Po ashtu, gjatë takimit me z. Palmer, në New  York Haradinaj ka shtuar edhe njëherë se Kosova është e gatshme dhe e përkushtuar për marrëveshjen ligjërisht obligative, përfshirë njohjen reciproke në kufijtë ekzistues./21Media