"Qeveria dhe populli i Kosovës janë të përcaktuar për rrugën integruese euroatlantike"

“Qeveria dhe populli i Kosovës janë të përcaktuar për rrugën integruese euroatlantike”

Kështu tha kryeministri i Kosovës Isa Mustafa,i cili sot priti një delegacion të Parlamentit të Zvicrës, të kryesuar nga kryetari i Partisë Popullore Kristian Demokratike zvicerane (CVP), Gerhard Pfister.

Gjatë takimit është biseduar për progresin në Kosovë dhe bashkëpunimin e mëtejmë ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri Mustafa theksoi të arriturat e Kosovës në zhvillimin ekonomik, integrimet evropiane dhe fuqizimin e shtetit, duke i njoftuar edhe me prioritetet e ardhshme në shumë fusha.

“Qeveria dhe populli i Kosovës janë plotësisht të përcaktuar për vlerat europerëndimore dhe rrugën integruese euroatlantike”, tha kryeministri Mustafa, duke falënderuar Zvicrën për përkrahjen e shumanshme që ka dhënë për Kosovën deri tani.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, shprehu përkushtimin e Kosovës për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe shkëmbimeve me Zvicrën.

Kryetari i Partisë Popullore Kristian Demokratike të Zvicrës, njëherësh anëtar i Parlamentit zviceran, Gerhard Pfister, vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkrahje për proceset e ardhshme zhvillimore dhe demokratike në Kosovë./21Media