”Kosova e re” nuk i hap rrugë tranzicionit të energjisë në Kosovë

Ejupi tha se Kosova ka potencial për tranzicion të energjisë, por synimet për ndërtimin e kapaciteteve të reja për prodhim të energjisë me thëngjill, kjo vështirë të arrihet

Burimet e ripërtërira bashkë me efiçiencën e energjisë janë një ndër faktorët kryesorë të tranzionit të energjisë, ndonëse në Kosovë tranzicioni në këtë fushë kërkon ndryshim total të prodhimit, pasi vendi ynë është prodhues i energjisë me thëngjill mbi 95 për qind.

Kështu u tha sot në konferencën “Tranzicioni i Energjisë në Kosovë”, organizuar nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID).

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Politikave Zhvillimore pjesë e KOSID-it, Burim Ejupi tha se Kosova ka potencial për tranzicion të energjisë, por synimet për ndërtimin e kapaciteteve të reja për prodhim të energjisë me thëngjill, kjo vështirë të arrihet.

Zëvendësdrejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Dirk Buschle tha se ky Sekretariat do ta hartojë ligjin për klimën në Kosovë, i cili sipas tij i mungon tani dhe do t’i prezantohet qeverisë dhe kuvendit së shpejti dhe shpresohet se do t’i ndihmojë në nisjen e procesit të tranzicionit të energjisë.

Nënkryetari i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Dardan Sejdiu, i cili tërë kohën e tij në panel është përqendruar te marrëveshje komerciale ndërmjet Qeverisë dhe kompanisë “Contour Global” për ndërtimin e TC Kosova e re tha se kjo është në kundërshtim me frymën e ligjit për energji elektrike dhe me traktatin për energjinë, në këtë rast me marrëveshjet që janë nënshkruar me Bashkimin Evropian.

Sipas tij, marrëveshja me “Contour Global” nuk e lejon Kosovën të shkoj përpara në frymën e tranzicionit.

Edhe pse në këtë panel ka qenë i ftuar edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ai ka refuzuar të marrë pjesë me arsyetimin se nuk dëshiron të duket si i vetmi mbështetës për termocentralin “Kosova e re”.

Back to top button