Kërkesat e HandiKOS-it do të trajtohen në mënyren më të mirë

Ka nis zbatimi i Ligjit që siguron përkrahje financiare për personat me aftësi të kufizuara

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se do të bëhen përpjekje maksimale që kërkesat e HandiKOS-it të trajtohen në mënyrën më të mirë dhe sa më shpejt, duke ftuar personat me aftësi të kufizuara që nga e hëna t’i bëjnë aplikimet dhe të sigurojnë pensionet që iu takojnë.

Mustafa   këto komente i bëri gjatë një vizite që bëri së bashku me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, në Shoqatën HandiKOS, ku u pritën nga drejtuesit dhe anëtarët e Shoqatës.

Kryeministri Mustafa dhe ministri Abrashi bënë të ditur nisjen e implementimit të Ligjit mbi statusin dhe të drejtat e personave tetraplegjikë dhe paraplegjikë, i cili do të ofrojë përkrahje financiare dhe do të ngritë ndjeshëm mirëqenien e personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre, në Kosovë.

Atha thanë se nga e hëna, personat me aftësi të kufizuara, personat tetraplegjikë dhe paraplegjikë mund të aplikojnë për të drejtat që iu takojnë, beneficion financiar (pension), duke u bazuar në këtë ligj.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se nga dita e hënë ministria që ai drejton pret aplikacionet e para nga personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë që të aplikojnë për pensionin e merituar tash e një kohë të gjatë.

“Gjatë këtyre muajve dhe viteve kemi punuar shumë në udhëzimet administrative. Kemi ndarë edhe një buxhet, i cili është diku rreth 3.5 milionë euro për këtë vit, por nuk do të ndalemi vetëm me këtë. Po punojmë edhe në një koncept dokument më të gjerë, që i prek të gjithë personat me aftësi të kufizuara”, tha ministri Abrashi.

Ndërsa, drejtori i Shoqatës HandiKOS, Afrim Maliqi, falënderoi kryeministrin Mustafa dhe Qeverinë e Kosovës për punën e bërë në Ligjin mbi statusin dhe të drejtat e personave tetraplegjikë dhe paraplegjikë, i cili do të ngritë mirëqenien e personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre në Kosovë.

 

Back to top button