Kosova eksporton 11 herë më pak se që importon, premtohen investitorë të huaj

Haradinaj ka stimuluar prodhuesit vendorë dhe investitorët e huaj që të prodhojnë në Kosovë

Kosova ka krijuar infrastrukturë ligjore për t’i transferuar prodhimet në tregjet e huaja, në mënyrë që prodhuesit vendorë të orientohen në eksportimin e prodhimeve të tyre.

Kështu ka deklaruar sot kryeministri Ramush Haradinaj me rastin e hapjes së konventës së dytë vjetore të Industrisë së Veshmbathjeve të Kosovës, për promovimin e prodhuesve të veshmbathjeve, ku 23 kompani lokale mbajtën ekspozitë me veshmbathje të prodhuara në Kosovë.

Me këtë rast, Haradinaj tha se janë të përkushtuar në rritjen e bashkëpunimit në mes të investitorëve dhe prodhuesve në Kosovë.

Kreu i Ekzekutivit tha se eksporti i Kosovës sipas Ministrisë të Tregtisë dhe Industrisë për periudhën 2016-2018 është diku rreth 20.5 milionë euro, ndërsa importi në periudhën e njëjtë kohore është 228.6 milionë euro.

Duke e parë që eksporti është më i vogël dhe çmimi i veshmbathjes në import është dyfish më i lartë, Haradinaj tha se duhet përkrahur prodhuesit me brendet e reja.

Eksporti është 11 herë më i vogël dhe çmimi mesatar në import është dyfish më i lartë në atë që thashë. Në këtë kontekst mund të përdoren të gjitha këto trende dhe të dhëna për t’i përkrahur prodhuesit, përfshirë edhe partnerët që i kemi këtu, por mund të orientojmë pra në këtë fushë të veprimtarisë të prodhimit, edhe fondet që ja kemi alokuar Ministrisë së Inovacionit. Si Qeveri, jemi të gatshëm që të bashkëveprojmë, që prodhimet tona të Kosovës, të arriturat e prodhuesve tanë, pra të industrisë së veshmbathjes, t’i plasojmë dhe jo vetëm kaq, jemi të interesuar po ashtu që të sjellim investitorë për ju”, tha Haradinaj.

Ai ka stimuluar prodhuesit vendorë dhe investitorët e huaj që të prodhojnë në Kosovë, duke numëruar lehtësirat që ka vendi ynë për ata të cilët investojnë, siç janë: zero taksë në dividendë; tatimi në fitim 10 për qind, më i vogli në regjion; tatimi në paga nuk shkon mbi 10 për qind; është taksë zero me shtetet e BE-së; transporti është më i liri i mundshëm dhe, nga e gjithë kjo është e sigurt që nga një produkt që prodhohet në Kosovë, do të mund të dalë dhe hyjë në treg të BE-së 30 deri në 40 për qind më lirë se një produkt i prodhuar diku tjetër në Evropë.

E ngarkuara me Punë në Misionin e SHBA-së në Prishtinë, Colleen Hyland tha se ndërmarrësia e ka bërë Kosovën të njohur në botën e veshmbathjes.

Kryetarja e Bashkëpunimit për Zhvillim së Ambasadës Suedeze, Nasrin Pourghazian, bëri të ditur se kanë tri objektiva në strategjinë e tyre, rritjen e integrimit ekonomik me BE-në dhe zhvillimin e tregut, forcimin e demokracisë dhe ndryshimet mjedisore dhe klimatike.

Kryetarja e shoqatës KAMA, Bardha Sadrija u shpreh optimiste se me përmbushjen e standardeve nga ana e prodhuesve, këta të fundit do të kenë mundësi edhe më të mëdha të zgjerimit në tregun e jashtëm.

Konventa e Veshmbathjeve të Kosovës organizohet çdo vit për t’i promovuar prodhuesit e veshmbathjeve dhe për ta mbështetur rritjen e kësaj industrie në Kosovë.

Kjo ngjarje ofron një platformë rrjetëzimi për prodhuesit e veshmbathjeve në Kosovë, agjencitë qeveritare, donatorët, blerësit ndërkombëtarë dhe të gjithë akterët relevantë të industrisë së veshmbathjeve.

Back to top button