Tahiri tha se nuk do të lejojë që Kosova të jetë strehë e kriminelëve

Tahiri tha se nuk do të lejojë që Kosova të jetë strehë e kriminelëve

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri njofton për realizimin e ekstradimit të një personi të dyshuar për vrasje të rëndë në Gjermani. Përmes kësaj deklarate, Tahiri ka thënë se Kosova nuk është dhe nuk do të jetë vend i sigurt dhe strehë për kriminelët.

“Dje kam ekstraduar një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritet gjermane, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë. Ka qenë jetike për sistemin tonë të drejtësisë që t’i japim fund praktikës së paradokohshme, kur Kosova konsiderohej si strehë e sigurt për kriminelët dhe të dyshuarit që kryenin vepra të ndryshme penale. Këta të dyshuar shfrytëzonin zbrazëtirat ligjore që t’i shmangen ballafaqimit me drejtësinë”, thuhet në deklaratën e Tahirit.

Abelard Tahiri me të marrë mandatin si Ministër i Drejtësisë, thotë se është kujdesur që t’i eliminojnë  zbrazëtirat ligjore dhe të shfaqin përkushtim për të vendosur para përgjegjësisë secilin person të dyshuar.

“Kemi arritur kështu ta bëjmë Kosovën vend të pasigurt për kriminelet dhe vend model për regjionin në luftimin e krimit transnacional. Nuk do të lejoj që Kosova të jetë strehë e kriminelëve. Pavarësisht vendit që dyshohet ose kanë kryer veprën penale dhe shtetësisë që kanë, të gjithë të dyshuarit për vepra penale do të ndiqen dhe do të sillen para drejtësisë. Falë punës që kemi bërë si Ministri në rrafshin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, vetëm këtë vit kemi arritur të realizojmë 18 ekstradime nga Kosova për në shtetet tjera”, thuhet tutje në njoftim./21Media