“Kosova është ambient i favorshëm për biznes”

Haradinaj priti në takim përfaqësuesit e MUSİAD

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se qeveria që ai drejton është duke punuar në plotësimin e legjislacionit, i cili do të ndihmojë krijimin e lehtësirave për investitorët e jashtëm potencialë dhe të rrisë zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me një delegacion të Shoqatës së Pavarur të Industrialistëve dhe Biznesmenëve, MUSİAD, të prirë nga kryetari për Ballkan, Bilalk Kara.

Gjatë takimit, sipas një komunikate për medie Haradinaj i njoftoi biznesmenët për agjendën e qeverisë në përgjithësi dhe në veçanti fokusin në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe nxitjen e investimeve të huaja direkte.

“Kosova ka shume arsye për të investuar në të, resurset natyrore, taksat e ulëta, numri i madh i të rinjve të motivuar dhe energjik për punë, si dhe përkrahja e madhe institucionale ndaj bizneseve”, tha shefi i ekzekutivit.

Ai potencoi angazhimin maksimal të Qeverisë në fuqizimin e sektorit privat dhe e mirëpriti interesimin e industrialistëve dhe biznesmenëve nga MUSAID, për mundësinë e investimeve në Kosovë, duke thënë se Kosova është ambient i favorshëm për zhvillim të biznesit.

Ndërkaq, Bilalk Kara, e falënderoi Haradinajn për pritjen, dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të shoqatës që drejton për mundësinë e investimit në Kosovë./21Media

Back to top button