U vendos që të adresohen çështjet procedurale

U vendos që të adresohen çështjet procedurale

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka caktuar një ekip ndërministror i cili ka punuar në identifikimin e nevojave shtetërore dhe krijimin e kushteve për blerjen e helikopterëve, për t’ju përgjigjur nevojave të Kosovës.

Në njoftimin për media nga zyra për informim, në takimin e mbajtur sot ku ishin të pranishëm zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, ministrat Haki Demolli, Imet Rrahmani, Skender Hyseni, komandanti i FSK-së, Gjeneral-lejtnant, Rrahman Rama si dhe drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni, ekipi ndërministror ka prezantuar para kryeministrit Isa Mustafa vlerësimet adekuate rreth kësaj çështje.

“Pas diskutimeve gjithëpërfshirëse, u vendos që të adresohen çështjet procedurale dhe që të vendosen kontaktet me kompanitë prestigjioze për blerjen e helikopterëve”, thuhet në njoftim.

Mustafa theksoi se pajisja e institucioneve shtetërore me helikopterë dhe ngritja e kapaciteteve ajrore, që nuk kanë ekzistuar deri më tani, është domosdoshmëri për t’u përballur me situata të emergjencave civile apo situatave tjera brenda vendit.

Sipas këtij njoftimi Institucionet kompetente kanë shprehur përkushtimin që të punohet intensivisht që kjo çështje të adresohet në përputhje me nevojat dhe me kapacitetet financiare, dhe që vendi të pajiset me helikopterë./21Media