Ministri Ismaili raporton në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi

Ministri Ismaili raporton në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi ka treguar se është ndërprerë furnzimi me infuzione nga Serbia. Ai tha se furnizimi do të bëhet nga Gjermania.

Sipas Ismailit, ky veprim nuk nënkupton që produktet serbe do të ndalohen në Kosovë.

Ministri është shprehur se revidimi i listës esenciale të barnave është në përfundim dhe se kanë dorëzuar një draft final tek OBSH-ja.

Duke folur për listën e re esenciale, ministri theksoi se do të angazhohet që të futen dhe barna për sëmundje të rralla, mirëpo nuk ishte konkret për cilat bëhet fjalë.

Për mungesën e barnave, ai tha se kjo ka të bëjë dhe me mungesën e ofertave dhe për këtë, ai bëri të ditur se kanë arritur marrëveshje me UNICEF-in për ta zgjidhur këtë problem.

Në lidhje me Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore, Ismaili tha se ka pasur takime me të huaj për t’i parë format se si duhet gjetur një zgjidhje për këtë për të mos u zhytur në borxhe. Sipas tij duhet marrë parasysh modelin gjerman të sigurimeve shëndetësore.

Kritik ndaj ministrit ishte deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, i cili tha se për të gjitha këto vonesa dhe mos realizim të projekteve fajtor është Ministria e Shëndetësisë.

Sipas tij, ministri po e largon përgjegjësinë prej veti dhe po arsyetohet me konsulencat, apo palët e treta.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se me anë të Ligjit për Paga, nuk ka pasur rritje të pagës tek infermieret mami.

Ai po ashtu u interesua për sportisët, për të cilët ka thënë se ata nuk duhet të futen në listën e pritjes si pacientet e tjerë.

Deputeti i LDK-së, Naser Osmani tha se duhet të ketë fokusim më të madh tek Ligji për transplantimin e indeve dhe organeve.

Sipas tij, ka mundësi që këto transplantime të bëhen me participim.

“Për një transplant të veshkës kemi potenciale. Vetëm 10 përqind po të participoheshin do të kishte kursim të buxhetit. Te lista e pritjes duhet të bëhet një planifikim racional”, tha ai.